Arkëtohen 2.3 mld lekë më shumë në 5 muaj, të ardhurat nga fondet speciale arrijnë në 35.3 mld lekë
Aksioni ndaj informalitetit i nisur dy vite më parë nga qeveria dha efekte pozitive në skemën e sigurimeve shoqërore, por “ambicia” e qeverisë ka qenë më e madhe.
Nga përfaqësues të qeverisë është deklaruar se gjatë këtij viti ka patur mijëra persona më shumë të deklaruar si të punësuar dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore.
Por sipas analizave të bëra këto nuk janë të gjitha vende të reja pune. Disa janë vende të reja pune, të tjerat janë vende pune që janë zbardhur nga puna në të zezë. Kjo shihet nga ndryshimi i madh që ka në të ardhurat nga sigurimet shoqërore krahasuar me një vit më parë.
Kështu të ardhurat nga fondet special, ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore në buxhetin e shtetit janë rritur këtë fillim viti. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, vetëm për 5 muajt e parë të vitit janë arkëtuar në buxhetin e shtetit 35.3 miliardë lekë, ose 2.3 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhe e një viti më parë, ku vlera e tyre ishte 33 miliardë lekë.
Po sipas këtyre të dhënave, të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë ato që shënojnë dhe vlerën më të madhe të realizimit me 29.9 miliardë lekë për këtë periudhë, ndërsa sigurimet shëndetësore janë realizuar në 4.7 miliardë lekë.
Ndërsa këto zëra një vit më parë ishin përkatësisht në vlerat, sigurimet shoqërore 27.6 miliardë lekë dhe sigurimet shëndetësore në 4.5 miliardë lekë. Por kjo skemë vazhdon të financohet nga buxheti i shtetit, ku shpenzimet për këtë zë për këtë periudhë janë në vlerën e 63.2 miliardë lekëve.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.