Armëpushim në luftën tregtare – Trump do ndalojë tarifat e reja. Kina do të rrisë importet nga SHBA
Shtetet e Bashkuara dhe Kina ranë dakord gjatë fundjavës për të rinisur bisedimet, ndërkohë që presidenti Donald Trump ofroi lehtësime përfshirë përjashtimin e tarifave të reja dhe heqjen e kufizimeve për Huawei. Kina ra dakord të blejë sasi të paspecifikuara të produkteve bujqësore amerikane dhe të rikthehet në tryezën e negociatave, sipas Trump. Megjithatë, nuk u la ndonjë afat për arritjen e marrëveshjes dhe dy ekonomitë më të mëdha në botë kanë ende konflikte për shumë pjesë të dakordësisë.
Tregjet financiarë, që kanë pësuar luhatje të mëdha nga lufta tregtare që ka zgjatur për thuajse 2 vite, kanë mirëpritur armëpushimin. Washingtoni dhe Pekini kanë vendosur tarifa ndaj qindra miliarda dollarë mallra. “I jemi rikthyer negociatave. Ne do të ndalojmë tarifat e reja dhe ata do blejnë më shumë produkte bujqësore”, tha Trump pas takimit me presidentin Xi Jinping, në samitin e G20 në Osaka, Japoni. Trump shkroi më vonë në Twitter se takimi shkoi shumë më mirë se sa pritej. “Cilësia e transaksionit është shumë më e rëndësishme se shpejtësia.
Nuk jam në nxitim, por gjërat duken shumë mirë”, shkroi Trump. Në një deklaratë mbi takimin, Ministria e Jashtme në Kinë citoi presidentin Xi Jinping, duke thënë se shpresonte që SHBA të trajtojë më mirë kompanitë kineze. “Kina do vazhdojë negociatat me SHBA, por këto duhet të jenë të barabarta dhe me respekt reciprok”, deklaroi Ministria.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.