“Armëpushim” në luftën tregtare, Trump: Kina do ulë tarifat ndaj makinave amerikane
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Kina ka rënë dakord të reduktojë dhe heqë tarifat poshtë nivelit prej 40% që Pekini ngarkon aktualisht ndaj makinave të prodhuara në SHBA. Trump dhe homologu kinez, Xi Jinping, ranë dakord që të parandalojnë rritjen e tarifave në samitin e G20 në Argjentinë, duke deklaruar “armëpushim” në luftën tregtare.
Shtetet e Bashkuara ranë dakord të mos rrisin më tej tarifat në datën 1 Janar, ndërsa Kina premtoi se do të blejë më shumë produkte të bujqësisë nga fermerët amerikanë. Të dyja palët ranë gjithashtu dakord për të nisur bisedimet në zgjidhjen e problematikave si mbrojtja e pronës intelektuale, barrierat tregtare jo-tarifore dhe vjedhja kibernetike.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë deklaroi se tarifat ekzistuese në 10% ndaj 200 miliardë dollarë mallra kinezë, do të rriten në 25% nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 90 ditëve. “Kina ka rënë dakord të reduktojë dhe heqë tarifat ndaj makinave që vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Aktualisht, tarifa qëndron në 40%”, shkroi Trump në Twitter.
Kjo do të ishte diçka tejet pozitive për makina si Tesla dhe BMW, që prodhohen në SHBA dhe eksportohen në Kinë. Aksionet, lëndët e para dhe valuta kineze, u rritën pas lajmërimit të marrëveshjes, pavarësisht pasigurive që qëndrojnë. Indeksi i Shangait u rrit ne 2.6%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.