Arrestohet kreu i Samsung, akuzohet për korrupsion
Kreu i Samsung, Jay lee, u arrestua të Premten në mëngjes i akuzuar për një skandal të gjerë korrupsioni, i njëjti që rrëzoi edhe presidenten e vendit pak kohë më parë. Ai mendohet të ketë paguar një shumë prej rreth 40 milionë dollarësh në formë ryshfeti ndaj një miku të afërt me presidenten që është në pritje të vendimit të gjykatës kushtetuese, në mënyrë që ti jepej drita jeshile për blerjen e një kompanie tjetër koreano-jugore.
Samsung është jo vetëm kompania më e madhe në vend, por më e madhja në Botë, për aparatet celularë inteligjentë, televizorët dhe pajisje të tjera. Për fat të mirë, efekti negativ i arrestimit të Lee në bursë është kufizuar. Por gjithsesi, frika mbizotëron, pasi investitorët i tremben idesë se arrestimi i tij mund të paralizojë vendimmarrjen e kompanisë, sidomos për projektet strategjike. Pasi ra deri në 1.8%, Samsung rikuperoi humbjet deri në 0.4%.
Indeksi Kospi i bursës së Seulit u regjistrua në një rënie prej vetëm 0.1% ndërkohë që monedha vendase u zhvlerësua me 0.4%. Arrestimi i Lee përbën një kthesë edhe në hetimet ndaj presidentes, e cila tashmë rrezikon seriozisht burgun.
Lee mban zyrtarisht postin e zëvendës Presidentit, por praktikisht është ai që drejton kompaninë, pas atakut kardiak që pësoi i ati i tij dy vite më parë. Ky i fundit mban zyrtarisht postin e Presidentit të kompanisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.