Arrestohet “truri” i grabitjes 1 miliardë euroshe – Ja si i sulmonin bankat për të fituar para
1 miliard euro është dëmi për industrinë financiare nga një operacion kriminal që goditi 100 banka dhe institucione financiare në mbi 40 vende në Europë dhe Azi.
Lideri i bandës të krimit kibernetik pas sulmeve të viruseve Carbanak dhe Cobalt u arresuar në Alicante në Spanjë, pas një hetimi kompleks të kryer në bashkëpunim me Policinë Spanjolle, Europol, FBI, autoritetet e Rumanisë, Bjellorusisë, Taivanit dhe kompani private të sigurisë kibernetike.
Që prej vitit 2013, banda ka sulmuar banka, sisteme pagesash elektronike dhe institucione financiare, duke vjedhur deri në 10 milionë euro njëherazi.
Fillimisht grupi lëshoi virusin Anunak, i cili kishte nën shënjestër transfertat financiare në botë dhe rrjetet e bankomateve. Më pas ky virus u sofistikua më tej dhe u përdor deri në vitin 2016.
Si funksiononte vjedhja?
Paratë, pas infiltrimit të virusit në sistemin e bankave, tërhiqeshin në mënyrat e mëposhtme:
- Bankomatet instruktoheshin të lëshonin para në një kohë të paracaktuar dhe këto kartëmonedha mblidheshin më pas nga sindikata kriminale. Një nga anëtarët e bandës priste në momentin e duhur për të tërhequr paratë që bankomati i nxirrte “vullnetarisht” sikur të ishte një makinë me xhetona.
- Rrjeti i pagesa elektronike përdorej për të transferuar para nga organizata drejt llogarive kriminale
- Databazat me të dhënat e llogarive modifikoheshin në mënyrë që llogaritë bankare të fryheshin. Më pas paratë tërhiqeshin nga individë të përdorur si “mushka”.
Fitimet kriminale pastroheshin edhe përmes kriptovalutave, duke përdorur karta të parapaguara për t’i lidhur me kuletat virtuale, të cilat përdoreshin për të blerë mallra si makina luksoze dhe shtëpi.
Arrestimi i figurës kyçe në këtë grup kriminal dëshmon se keqbërësit kibernetikë nuk mund të fshihen më pas anonimitetit ndërkombëtar.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.