Arrihet marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike. Nesër votohet qeveria
“Nesër do të shkojmë në Kuvend, për dallim nga hera e kaluar, tashmë me marrëveshje për të votuar qeverinë e re. Jemi marrë vesh për të gjitha. Kryetari Mustafa do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Në VV kanë nisur përgatitjet për referendum, sepse kështu e kërkojnë statutet e dy subjekteve tona” – këto ishin fjalët e kryeministrit më të ri të Kosovës, Albin Kurti në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp ditën e sotme ku u konfirmua arritja e koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nga ku të dyja partitë dolën forca të para, pritej një koalicion qeverisës.
Pas më shumë se 4 muaj bisedime, forcat erdhën në gjuhën e përbashkët duke gjetur kështu dakordësimin për ndarjen e pozicioneve kyçe në qeveri.
Kompromiset kanë qenë nga radhët e të dyja palëve, teksa kabineti qeveritar do të ketë 15 ministri nga 12 që ishte njoftuar më parë, 6 të cilat do të jenë të Vetëvendosjes dhe 6 të tjera të Lidhjes Demokratike, ndërsa 3 për minoritetet dhe pakicat. Gjithashtu LDK-ja ka hequr përkohësisht dorë nga e drejta për të kandiduar emrin e presidentit të ardhshëm, duke u shprehur se kjo do të diskutohet në një moment të dytë.
“Jemi dakorduar që t’i kemi 15 ministri dhe 33 zëvendësministra kjo tregon se qeveria jonë ende pa ia nisur punës ka bërë një ndryshim të madh pasi është qeveria më e vogël. Ne kemi vlerësuar që synimi ynë që t’i kemi 12 ministri ka qenë i drejt, por kemi thënë se është një tendencë për të kursyer sa më shumë, por në anën tjetër është dëshmuar se krijimi i disa superministrive është kosto më e madhe se sa t’i kemi 12 ministri. Më mirë të bëjmë reduktimin më të shpejtë në 15 ministri se sa të presim më gjatë për 12 ministri”, u shpreh Kurti në konferencë.
Gjithashtu kryetari Glauk Konjufca do të japë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Kuvendit dhe, kryeministri i ri Kurti tha se do t’i bashkohet ekzekutivit në një post që ende nuk është caktuar.
“Kryeparlamentarin e Kuvendit e propozon Vetëvendosja, do të jetë kandidat i LDK-së. Sa i përket presidentit nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes së sotme, do ta diskutojmë kur të vjen koha”, ka thënë Mustafa.
Sipas, z.Mustafa marrëveshja është e mirë për të dyja palët, pas shqyrtimit të çdo alternative të mundshme dhe se kjo qeveri sipas tij do të rezultojë mjaft e suksesshme:
“Ne kemi arritur marrëveshje, e vlerësojmë që është një marrëveshje e mirë në dobi të Kosovës, e të ndryshimeve që domosdoshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë. Kemi hulumtuar të gjitha alternativat e bashkërisht kemi ardhur në një zgjidhje që besojmë se është në interes të Kosovës dhe të kemi një qeveri të suksesshme të realizojë pritshmëritë”, ka thënë Mustafa.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.