Arrihet marrëveshja tregtare post Brexit. Von der Leyen dhe Johnson: “E drejtë dhe e balancuar për të dy palët”
Britania dhe Bashkimi Europian kanë arritur një marrëveshje tregtare të Brexit, rreth 4 vjet pasi Mbretëria e Bashkuar votoi pro largimit nga blloku. Në këtë mënyrë, është shmangur skenari më i keq, i një dalje pa marrëveshje. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se ishte një marrëveshje e mirë.
“Ka qënë një rrugë e gjatë dhe plot stuhi, por tashmë kemi arritur një marrëveshje të mirë. Është një marrëveshje e drejtë dhe e balancuar. Ishte rruga e duhur dhe e përgjegjshme për të dyja palët”.
Ndërsa kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, konfirmoi gjithashtu se marrëveshja është arritur dhe tani mund të shfrytëzohen të gjitha mundësitë fantastike.
“Marrëveshja do t’i lejojë eksportuesit të bëjnë më shumë biznes me miqtë europianë. Britanikët e dinin që ishte e vështirë, por jo e pamundur. Për herë të parë që nga viti 1973, ne do të jemi një shtet i pavarur bregdetar, me kontroll të plotë të ujërave tona”.
Mbretëria e Bashkuar pushoi së qëni pjesë e Bashkimit Europian që nga janari i këtij viti, pas votimit të Brexit në 23 qershor të vitit 2016. Megjithatë, Britania ra dakord të vazhdojë të ndjekë rregullat e Bashkimit Europian deri në fund të këtij viti, në mënyrë që të negocionte kushte më miqësore tregtare me 27 vendet e tjera të unionit. Palët ishin përfshirë në bisedime intensive që nga marsi, për të përcaktuar se si do të funksionojë tregtia nga janari i 2021 e tutje. Gjatë negociatave pati përplasje të mëdha në lidhje me peshkimin, rregullat e konkurrencës dhe qeverisjen e marrëdhënies së re. Tashmë, marrëveshja duhet të ratifikohet nga parlamentet në Britaninë e Madhe dhe në Bashkimit Europian, gjatë javëve në vijim, por ky zhvillimi është pritur mirë nga bota e biznesit në të dyja anët. Kjo është hera e parë që një anëtar i Bashkimit Europian tërhiqet zyrtarisht nga blloku politik.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.