Arrihet projekt-marrëveshja: Punëtorët me aftësi të larta nga jashtë BE-së tashmë e kanë më të lehtë të punojnë dhe të jetojnë në bllok

Bashkimi Europian arriti këtë fillim jave një marrëveshje të përkohshme që mund ta bëjë më të lehtë për punëtorët me aftësi të larta nga jashtë BE për të jetuar dhe punuar në bllokun e 27 vendeve.
Drafti i marrëveshjes midis Parlamentit Europian dhe Këshillit, i cili po vepron në emër të vendeve anëtare, është krijuar për të azhurnuar sistemin ekzistues të lejes së punës të Kartës Blu, i cili u prezantua në 2009.
Sipas këtij drafti pragu i kërkuar i pagës ulet dhe kohëzgjatja minimale e një kontrate pune zvogëlohet ndërsa njohja e aftësive profesionale në sektorin e IT do të lehtësohet.
Komisioni ekzekutiv i BE përshëndeti projektin e marrëveshjes. “Marrëveshja e sotme i jep BE një skemë moderne për emigracionin legal që do të na lejojë t’ju përgjigjemi mungesave të aftësive dhe t’ua lehtësojmë profesionistëve me aftësi të larta bashkimin me forcën tonë të punës,” tha Nënkryetari i Komisionit Margaritis Schinas.
Komisioni ka synuar të reformojë skemën e Kartës Blu që nga viti 2016, duke argumentuar se pengesat për pranimin e punëtorëve ishin shumë të larta.
Të dy palët ende duhet të konfirmojnë marrëveshjen e tyre duke miratuar skemën e re të Kartës Blu. Shtetet anëtare do të kenë dy vjet kohë për të zbatuar masat në ligjin kombëtar. (Reuters)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.