ARRSH dhe OST rihapin tenderët – Pas skandalit me “DH Albania”, garë e re për 30 mln euro
Pas skandalit të falsifikimit të dokumenteve dhe anulimit të kontratës me bashkimin e operatorëve DH Albania dhe Biba X, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rihapur garën për lotin e parë të segmentit pallati me shigjeta-sheshi Shqiponja të Unazës së Madhe.
Sipas dokumentit, fondi limit i vënë në dispozicion është i njëjtë me garën e mëparshme, pavarësisht akuzave të opozitës për kosto të fryra të ndërtimit. Sipas njoftimit të kontratës, fondi limit është pikërisht 2.24 miliard lekë pa TVSH, ndërkohë që për vitin 2019 janë vënë në dispozicion rreth 539 milion lekë.
Nga ana tjetër edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit ka rishpallur garën për linjën e re 220 kV Burrel – Peshkopi, ku gjithashtu kompania DH Albania, ishte shpallur fituese. Gara nga OST është rihapur në datën 11 dhjetor në sistemin elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik, ku gjithashtu është përcaktuar i njëjti fond limit prej 1.2 miliard lekësh.
Pak ditë më parë Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit anuluan kontratat e lidhura me këtë kompani, e cila u përfshi një skandalin e falsifikimit të dokumenteve, duke përfituar rreth 30 milion euro nga paratë publike.
Më konkretisht kjo kompani dorëzoi pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një dokument të falsifikuar të sekretarit të shtetit të Delawere në SHBA, sipas të cilës kompania mëmë ishte krijuar qysh në vitin 1998, por në të vërtetë ajo ishte regjistruar vetëm në qershor të vitit 2018.
Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se falsifikimi është shtrirë edhe në shtetin shqiptar, duke qenë se përkthyesja e dokumenteve nuk rezulton në regjistrin e përkthyesve zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, por pavarësisht kësaj përkthimi është noterizuar duke i dhënë legjitimitet të plotë. Pas publikimit të skandalit, prokuroria ka nisur hetimet.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.