ARRSH pezullon punimet për Unazën e Madhe të Tiranës, segmenti Ura e Lanës-sheshi “Shqiponja”! Arsyeja

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton pezullimin e punimeve në segmentin 1 të Unazës së Madhe të Tiranës që shtrihet nga Ura e Lanës deri te mbikalimi i sheshit “Shqiponja”. Shkak është bërë publikimi në media i një materiali që ngre pikëpyetje mbi vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura nga njëra kompani që ka fituar garën.
“ARRSH i është drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare t’u kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës.
Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek Mbikalimi i Sheshit Shqiponja.
Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do të ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj.
Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin” njofton ARRSH.
Më tej, ARSH konfirmon se deri më tani nuk ka pasur asnjë efekt financiar për buxhetin e shtetit. Një ditë më parë, në emisionin “Të Paekspozuarit” u publikuan materiale që ngrenë pikëpyetje vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura në garë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.