Arsim profesional më cilësor – Bashkëpunim me bizneset për punësimin e studentëve
Institucionet e arsimit të lartë me karakter profesional do të ofrojnë programe studimi bazuar në kërkesat e tregut të punës si dhe do të mundësojnë punësimin e studentëve pas përfundimit të studimeve.
Ky vendim është miratuar nga këshilli i ministrave për ti dhënë zgjidhje kërkesave të tregut për forca të kualifikuara të punës nga njëra anë, por edhe për të mundësuar punësimin e të rinjve të cilët përfundojnë studimet me karakter profesional. Sipas vendimit, këto institucione duhet të plotësojnë disa kritere për përmirësimin e cilësisë së programeve të studimit që ofrojnë, ndër të cilat krijimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me kompani, palë të treta, biznese vendas dhe të huaja, për realizimin e programeve të studimit sipas specifikës.
Ky vendim i cili tashmë ka hyrë në fuqi detyron këto institucione arsimore të ndërmarrin iniciativa specifike në mbështetje të sipërmarrjes dhe punësimit të studentëve. Në këtë aspekt, ministria e financave pritet të rrisë buxhetin për arsimin profesional në tre vite në vijim. Gjatë vitit që vjen shteti do të shpenzojë rreth 3.4 miliardë lekë në mbështetje të programit “arsimi profesional”, nga 2.9 miliardë lekë që ka akorduar në vitin 2018.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.