Arsimi profesional, ministri Klosi viziton shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës
Ditën e shtunë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi inauguroi 5 laboratorë në shkollën profesionale “Hysen Çela” në Durrës, një investim me vlerë 150 milionë lekëve.
Në këtë shkollë, sikurse në shumë shkolla të tjera profesionale, mësimi është zhvilluar vetëm nga ana teorike, ndërsa me miratimin e ligjit të ri të arsimit profesional, 50% e mësimit do të jetë praktikë në laboratore dhe biznese.
Projektligji i ri parashikon gjithashtu autonomi financiare.
“Transferimi i shkollave tona në qendra multifunksionale, të cilat mund t’i menaxhojnë vetë burimet financiare, do të shënojë një hap krejtësisht cilësor në transformimin e arsimit tonë profesional, nga një edukim në një mekanizëm ekonomik që mund të ndryshojë jetën e shumë qytetarëve të vendit tonë. Me ligjin e ri ju mund të shisni, të fitoni të ardhurat, me të ardhurat të investohet më shumë në bazë prodhuese dhe mësuesit do të paguhen më shumë”, u shpreh ministri Klosi gjatë vizitës në këtë shkollë.
Në shkollën “Hysen Çela” është hapur për herë të parë dega e detarisë, që është kthyer në profilin më të kërkuar për nxënësit e vitit të parë.
“Ajo që ne do të kërkojmë në vitin 2017 dhe në vazhdim pas miratimit të ligjit për arsimin profesional është që qendra të tilla si shkolla “Hysen Çela” të jenë qendra trajnimi jo vetëm për nxënësit por edhe për të gjithë ata që duan që në profilin e marinarit dhe të gjitha zanatet që kanë lidhje me detin të jenë të kualifikuar, të profesionalizuar dhe natyrisht të mirëpaguar”, tha Klosi.
#UnëZgjedhArsiminProfesional Nga një shkollë e degraduar, tani e fuqizuar dhe e kompletuar. 5 laboratorë të rinj në Shkollën “Hysen Cela” në Durrës, për t”ju përgjigjur kërkesave të rritura për arsimim, kualifikim dhe punësim. #Shqipëria e gjeneratës tjetër.
Posted by Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë on Saturday, February 11, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.