Arsyet/ Pse dha dorëheqjen drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato
Drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga detyra e saj. Në një njoftim të shpërndarë për median, Qato shkruan se është akuzuar nga një kompani për një procedurë që e gjykon plotësisht të drejtë dhe ligjore por që situata e ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën.
“Pas një periudhe të shkurtër pune, por shumë intensive, për të reformuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për të krijuar një model transparence dhe profesionalizmi në këtë institucion, vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.
Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).
Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht.
Prandaj me mirënjohjen e sinqertë për Kryeministrin e vendit, i cili jo vetëm më besoi këtë detyrë të rëndësishme, por edhe më krijoi kushte të pavarësisë së plotë në drejtimin e institucionit, ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar” shkruan Qato.
Pak ditë pasi u vendos anulimi i gjithë procedurës së tenderit të ndërtimit të tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë kompania që fitoi të drejtën e ndërtimit “Gjoka Konstruksion” ka bërë padi ndaj drejtueses së ARRSH Sonila Qato me argumentin se ka shkelur ligjin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.