Artisti që bën shtëpiza të fshehura për zogjtë e qytetit – Në 7 vjet ka ndërtuar mbi 3500 të tilla

Thomas Dambo është një artist dhe dizajner nga Danimarka, i cili ka vendosur të ndërmarrë një projekt shumë të veçantë për mbrojtjen e zogjve. Ai përdor materiale të riciklueshme apo të përdorura, të cilat i shndërron më pas në shtëpiza për zogjtë.
Projekti i tij quhet ‘Zogj të lumtur qyteti’ dhe përveç foleve, këto shtëpiza shërbejnë edhe si art rruge.
Gjatë 7 viteve të fundit, Dambo ka bërë mbi 3500 shtëpiza në qytete të ndryshme të botës.
“Zogjtë janë ndër të paktat kafshë që jetojnë ende në qytetet tona. E nisa këtë projekt sepse mendoj se është e rëndësishme të sigurohem që ata të mund të vazhdojnë të jetojnë atje”, tha Dambo.
Sa i përket faktit nëse zogjtë i përdorin shtëpizat që ai ndërton, artisti danez thotë se nëse ato ndodhen në një pemë në park do të përdoren. Ndërsa shtëpizat e vendosura pranë autostradave apo rrugëve të tjera të zhurmshme shërbejnë më tepër si kumtesë se duhet të lëmë vend për zogjtë në botën urbane.
Shtëpitë e kamuflazhit janë vetëm një pjesë e vogël e projektit të tij dhe mund të gjendet më së shumti në Kopenhagen apo në qytezën Ishoj, ku Thomas ka ndërtuar 52 shtëpiza si pjesë e një ekspozite të jashtme për muzeun Arken.
Ato jo vetëm që janë pothuajse të padukshme për syrin e njeriut, por janë gjithashtu shumë të bukura dhe të veçanta.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.