Asete të përfituara nga veprimtaria kriminale – Policia sekuestron pasuri me vlerë 2 milionë euro
Policia e Shtetit ka njoftuar se në kuadër të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin dhe janë përfituar nga veprimtaria kriminale ka sekuestruar pasuri me vlerë 2 milionë euro të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Sipas njoftimit Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale, referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2017 materialet në ngarkim të shtetasit P. T., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Në vijim të veprimeve, pas hetimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në DVP Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro të pasurive”, të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”. Pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel në lagjen Nr. 13 Durrës. Shuma e sekuestrimit kap vlerën e 2 000 000 euro sipas çmimit të tregut,” shkruhet në njoftim.
Materialet shtesë i kaluan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, bën me dije Policia e Shtetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.