Ashpërsim i ligjit antiduhan – ISHSH kërkon ndëshkim për cigaren elektronike dhe shishat
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor kërkon rishikim të ligjit sa i përket masave ndëshkuese për subjektet që shkelin ligjin. Në një intervistë për televizionin SCAN, inspektorja e ISHSH Teuta Dinaj tha se inspektorati po kërkon ndryshime të ligjit si në ashpërsimin e masave, ashtu edhe për mos lejimin e cigares elektronike dhe të shishave në ambientet e mbyllura.
“Problem tjetër që ne kemi hasur në punën tonë dhe e kemi paraqitur përpara këtij komisioni për ndryshimin e ligjit është edhe koncepti i duhanpirjes. Domethënë, përkufizimi në ligj duhet të jetë akoma dhe më i qartë, që do të thotë çfarë nënkuptohet me këtë duhanpirje. Jo vetëm cigarja që ne kemi parasysh, por procesi në tërësi i duhanpirjes, qoftë edhe procesi që bëhet përmes mjeteve të tjera siç mund të jetë shisha, cigarja elektronike; ato përmbajnë produkte të duhanit. Pra, duhet të ketë një qartësi më të mirë të këtij termi”, tha Dinaj.
Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, duhani është shkaktar për një në katër vdekje prej sëmundjeve kardiovaskulare. Në rastet e tumoreve, ky ndikim është edhe më i lartë, duke arritur në mbi 83% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive. Në vendin tonë, përqindja ditore e duhanpirësve është rreth 48% nga meshkujt mbi 15 vjeç, por vihet re një tendencë uljeje. Ndërsa te gratë, ka një tendencë rritjeje nga 5, në 10%
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.