Ashpërsohen masat për hyrjet në Greqi – Edhe të vaksinuarit do të paraqesin test PCR, ose të shpejtë. Detyrimi, edhe për fëmijët mbi 5 vjeç!
Lëvizjet e shtuara për shkak të festave të fundvitit duket se kanë detyruar shtetin grek të ashpërsojë masat me qëllim parandalimin e përhapjes së variantit Omicron, të COVID-19. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se duke filluar nga ora 6:00 e datës 19 dhjetor 2021, deri në datë 10 janar 2022, ora 06:00, çdokush që do të udhëtojë drejt Greqisë është i detyruar të paraqesë test negativ PCR, kryer brenda 72 orëve, përpara udhëtimit ose test të shpejtë antigjenik, kryer brenda 24 orëve para udhëtimit.
Ky detyrim do të jetë i vlefshëm, pavarësisht kombësisë dhe pavarësisht faktit nëse udhëatrët janë të vaksinuar apo kanë qenë të diagnozuar me COVID-19. Gjithashtu, të gjithë udhëtarët që hyjnë në territorin grek, duhet të plotësojnë formularin elektronik PLF (Passenger Locator Form), me të dhënat e tyre të kontaktit në Greqi, përpara mbërritjes.
Ndërkohë që, këto masa do të vlejnë për të rriturit dhe fëmijët mbi 5 vjeç. Ndërkaq, Ministria Për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se pikat kufitare të Kakavisë, Kapshticës dhe Qafbotës funksionojnë gjatë 24 orëve, pika kufitare e Tre Urave funksionon nga ora 08:00 deri në orën 20:00. Sikurse çdo vit, festat e fundvitit shoqërohen me një fluks të shtuar të shtetasve shqiptarë që vijnë në Shqipëri e më pas rikthehen në vendet e tyre të punës. Ndërkohë që, aktualisht në vendin tonë rezultojnë 5474 raste active me COVID-19, ndërsa autoritet e konsiderojnë situatën të qëndrueshme.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.