Asistencë për Tiranën, marrëveshje me Harvardin për zhvillimin e kryeqytetit

Universiteti i Harvardit do të nisë një program asistence teknike për zhvillimin urban dhe inovacionin në kryeqytet, në kuadër edhe të miratimit të Panit të ri Urbanistik.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Simmon Battisti, koordinator për Planifikimin dhe Edukimin, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Planifikimit Urban në Bashkinë e Tiranës, Ditjon Baboçi morën pjesë në konferencën e zhvilluar në datën 2 Mars në Universitetin e Harvardit në SHBA, ku u prezantua vizioni i Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, si dhe shpallja e programit të bursave Harvard-Tirana për studentët e Masterit në planifikimin e urbanistikën e Kryeqytetit shqiptar.
Kështu, duke nisur nga kjo verë, Bashkia e Tiranës do të presë me bursa të Harvardit studentët më të talentuar nga Masteri i Graduate School of Design & Urban Planning, të cilët do të punojnë në departamentin e planifikimit urban me projekte që kanë të bëjnë me Planin e Përgjithshëm Vendor të kryeqytetit, i sapomiratuar nga Këshilli Bashkiak.
Planin vendor “Tirana 030 u miratuar në fund të vitit që lamë pas nga Këshilli Bashkiak dhe është baza për planifikimin dhe zhvillimin e qytetit në trembëdhjetë vitet e ardhshme. Plani parashikon në total 13 Projekte strategjike, si projektin e Pyllit Orbital; Projektin i Oazëve natyrorë; Unazat e 2 dhe e 4; Projektin e Parkut Botëror; Unazat e gjelbra dhe blu; Epiqendrat e Tiranës policentrike; Shkollat e hapura; Ruajtjen e pasurisë arkitektonike të shekullit XX; Sistem të ri bujqësor dhe rrjet i ri i tregjeve për fermerët; Transport urban me cilësi të lartë; Rrjetin e korsive dhe mobilitetin; Tirana për të gjithë, qytet i aksesueshëm dhe gjithashtu, investime në energjinë e rinovueshme në të ardhmen.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.