Asnjë investim i ri për përmbytjet/ Çuçi: “Shkurtohen fondet me 3.2 milionë euro”, Angjeli: “Të rishikohet buxheti”
Pavarësisht se Shqipëria vuan çdo vit nga përmbytjet, të cilat shkaktojnë humbje të mëdha kryesisht në toka bujqësore dhe biznese, për vitin e ardhshëm nuk do të ketë asnjë investim të ri në infrastrukturën e kullimit dhe të ujitjes. Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuci, në një seancë dëgjimore ne Komisionin e Ekonomisë lidhur me investimet me këtë sektor, theksoi se fondet janë ulur me afro 3.2 milionë euro në këtë drejtim. Ndërsa deputeti socialist Anastas Angjeli kërkoi rishikim të buxhetit sa i takon mbrojtës ndaj përmbytjeve.
“Infrastruktura dhe ujitja parashikohet me ulje 400 milionë lekë apo 13 për qind më pak. Kemi parashikuar disa ndërhyrje për argjinaturat e lumenjve, janë disa projekte që kanë nisur nga bashkitë në vitin 2020 dhe do vazhdojnë në 2021, por për shkak të uljes së fondit nuk do hapim projekte të reja në mbrojtet lumore dhe sistemin e ujitjes e kullimit. Kemi problematike disa ndërhyjë që duhen bërë nga bashkitë sidomos në dy akset kryesore të Shkumbimit dhe Vjosës”. – u shpreh Bledi Çuçi.
“Duhet te konsiderojmë investimet përsa i përket mbrojtjeve ujore dhe s’mund te lejojme qe te ulen investimet per digat ne akset ujore, te mbahet shënim dhe te mbështetet ky sektor” – u shpreh z.Angjeli.
Një tjetër pikë që mori vëmendje në komision, ishte shqetësimi i prodhuesve të qumështit lidhur me uljen e rimbursimit të TVSH-së në vitin 2019 në 6 për qind. Ministri Çuçi theksoi se mbështet rishikimin e skemës për këtë sektor, pasi është penalizuar nga kjo politikë.
“E kemi diskutuar ne qeveri, duhet te rishikojmë per pjesën e qumështit qe te kemi TVSH të rimbursueshme, te barabarte ne shitje dhe blerje”. – u shpreh Çuçi
Buxheti për bujqësinë për vitin 2021 është parashikuar me rritje me rreth 2 miliardë lekë, por megjithatë për subvencionet ka pasur shkurtim fondesh, duke vënë në dispozicion për vitin e ardhshëm vetëm 800 milionë lekë, fond nga i cili pritet të përfitojnë 8 mijë fermerë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.