Asnjë rritje taksash – Pr.buxheti për Tiranën, formula e re për ndërtesat rrit të ardhurat

Tirana nuk do të ketë rritje tarifash dhe taksash vendore për vitin 2019, ndërsa e vetmja gjë që do të rëndojë më shumë xhepat e qytetarëve, është taksa mbi pasurinë, që do të llogaritet me vlerën e tregut.
Referuar pr.buxhetit 2019, taksa e pasurisë është ndër të ardhurat më me peshë të bashkisë së Tiranës për vitin 2019, duke përbërë 18 për qind të të ardhurave totale.
Duke qenë se nga 1 Janari i vitit të ardhshëm, hyn në fuqi metodologjia e re e përllogaritjes miratuar nga Ministria e Financave, janë parashikuar që të mblidhen 2.4 miliardë lekë, ku 1.9 miliardë e përbëjnë subjektet tregtare dhe 510 milionë, familjarët me një rritje të konsiderueshme nga pritshmëria e vitit 2018, që llogaritet në afro 1.8 miliardë lekë.
Krahasuar me vitin 2013, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë rriten 5.5 herë më shumë, ndërsa projektohen me rritje edhe për vitin 2020-2021. Me rritje janë parashikuar edhe të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, në 4 miliardë lekë, apo 200 milionë lekë më shumë nga pritshmëria e këtij viti, duke parashikuar zhvillimet e reja që pritet ti shtohen Tiranës në zonën e mirëplanifikuar të Bulevardit të Ri. Kjo taksë renditet e para për nga kontributi në buxhet.
Po ashtu zëri i tretë më i rëndësishëm në të ardhura është tarifa e pastrimit, nga e cila janë parashikuar të mblidhen 2 miliardë lekë, nga 1.9 miliardë lekë që është pritshmëria e 2018-ës.
Nga taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore pritet të mblidhen 860 milionë lekë dhe një rritje të lehtë do të kenë të ardhurat nga taksa e tabelës në rreth 400 milionë lekë.
Ndërsa një tarifë që do të sjellë më pak të ardhura për buxhetin e bashkisë gjatë vitit të ardhshëm është ajo që paguhet për parkimin publik, i cili tashmë funksionon vetëm me sms.
Pritshmëria në vitin 2018 është 440 milionë lekë, ndërsa gjatë 2019 janë parashikuar të mblidhen 420 milionë lekë, me një rënie të lehtë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.