Athina, apel kreditorëve – “Na përfshini në skemën e titujve të BQE, sa më shpejt”

Athina zyrtare i bëri thirrje kreditorëve ndërkombëtarë që të përcaktojnë sa më shpejt masat e lehtësimit afat-mesëm të borxhit në mënyrë që vendi të përfshihet në skemën e blerjes së titujve të Bankës Qendrore Europiane.
Kjo do t`i mundësonte Greqisë të vetëfinancohej nga tregjet kur programi i shpëtimit të përfundojë, gjë që parashikohet në muajin Gusht të vitit të ardhshëm.
“Masat që do të implementohen kur programi të ketë skaduar duhen përcaktuar që tani“-deklaroi zëdhënësi i qeverisë helene. Ndër të tjera ai shtoi se, Athina kërkon të bëhet pjesë e lehtësimit sasior në shkallë të gjerë të Bankës Qendrore Europiane sa më shpejt që të jetë e mundur.
Gjatë javës ndërkohë, Greqia dhe kreditorët ndërkombëtarë, përfshirë këtu Fondin Monetar Ndërkombëtar rifilluan bisedimet.
Përplasjet mes kreditorëve europianë dhe Fondit mbi reformat në Greqi, por edhe masat shtesë që ndërmorri në fund të vitit të kaluar qeveria helene, shtynë në kohë rishikim e programit të shpëtimit të vendit. Diçka e tillë ka sjellë ngrirjen e fondeve për Greqinë si dhe ndalim të bisedimeve për borxhin e vendit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.