Athina bën “detyrën” – Voton masat shtrënguese, radhën e ka Eurogrupi

Parlamenti grek miratoi më në fund marrëveshjen me kreditorët ndërkombëtarë, që përfshin një sërë masash shtesë shtrënguese, si rritjen e taksave dhe shkurtimin e pensioneve.
Protestat e dhunshme jashtë parlamentit nuk i ndaluan ligjbërësit që t’i thoshin po kësaj pakete që pritet të zhbllokojë paratë për Greqinë, por edhe lehtësimin e borxhit të vendit.
Në këtë mënyrë, eliminohet pengesa kryesore për rikthimin e normalitetit në Greqi. Athina zyrtare shpreson se, duke kthyer në ligj masat e dakordësuara javë më parë, vetëm katër ditë përpara takimit të eurogrupit, kreditorët do të binden për të zhbllokuar këstin e radhës së huasë, që përkthehet në 7.5 miliardë euro.
“Ne meritojmë dhe ne presim nga Eurogrupi ditën e Hënë një vendim që të rregullojë çështjen e lehtësimit të borxhit që korrespondon edhe me sakrificën e popullit grek”, deklaroi kreu i ekzekutivit, Alexis Tsipras.
Parimisht, kreditorët kanë rënë dakord për një lehtësim të borxhit, por nuk kanë folur ende për detajet.
Masat e reja shtrënguese u aprovuan në parlamentin helen pak para mesnatës mes të Enjtes dhe të Premtes, e ndërkohë që ligjbërësit votonin, protestuesit hidhnin gaz lotsjellës e gurë drejt godinën së legjislativit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.