Athina pritet në “besë” – Eurogrupi dështon, nuk ka marrëveshje

Përpjekjet e Athinës zyrtare për të zhbllokuar këstin e radhës së huasë duke implementuar masa shtrënguese shtesë duket se kanë qenë të kota.
Eurogrupi ka dështuar të arrijë një marrëveshje paraprake për të zhbllokuar paratë për Greqinë. Pas 7 orë diskutimesh, ministrat e financave të Eurozonës, dështuan dhe vendosën të shtyjnë me një muaj vendimin.
Këtë gjë e konfirmoi vetë kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem. “Gjatë kësaj paraditejeve dhe pasditeje, ne patëm një diskutim fillestar, në thellësi, në lidhje me qëndrueshmërinë e borxhit grek. Por në këtë pikë ne nuk kemi arritur një marrëveshje”, deklaroi Dijsselbloem.
Mungesa e një marrëveshje do të thotë se, Greqia tashmë është në telashe serioze. 7.5 miliardë eurot e këstit të radhës duhen disbursuar medoemos brenda Korrikut, kur Greqia duhet t`i paguajë kreditorëve këstin e radhës së huasë së vjetër. Mungesa e parave deri në këtë muaj përkthehet në faliment.
Nga ana tjetër, mungesa e një marrëveshje, e komplikon së tepërmi çështjen e lehtësimit të borxhit helen dhe përfshirjen në programin e Bankës Qendrore Europiane.
Ndër të tjera, Dijsselbloem deklaroi se, Fondi Monetar Ndërkombëtar është i gatshëm të përfshihet në marrëveshje, por do të presë diskutimet finale, që do të mbahen pas një muaji. Edhe Pierre Moskovici u shpreh optimist për arritjen e marrëveshjes në të ardhmen e afërt.
Në fund të javës së kaluar, parlamenti Grek, i rrethuar nga protestues të shumtë, miratoi masat shtrënguese, si shkurtim taksash dhe pensionesh, me shpresën se Eurogrupi do të jepte dritën jeshile.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.