ATP mbyll vlerësimin financiar! Tashmë, pronarët mund t’i drejtohen Gjykatave për kompensimin
Agjencia e Trajtimit të Pronave ka bërë me dije këtë fundjavë se ka përfunduar procesin e vlerësimit financiar të të gjitha vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit. Paralelisht, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka përllogaritur edhe faturën financiare që duhet të paguajë shteti për procesin e kthim kompensimit për pronarët.
Përfundimi i vlerësimit të vendimeve, do të thotë se pas 23 shkurtit ATP nuk do marrë më në shqyrtim pretendime nga pronarët që nuk janë vlerësuar deri tani, Ndërkohë që përfundimi i procesit të vlerësimeve financiare, u jep të drejtën pronarëve të nisin zyrtarisht aplikimet, duke ju drejtuar edhe gjykatës në rastet kur janë të pakënaqur.
Vetë Agjencia e Trajtimit të Pronave ka bërë me dije se në funksion të kompensimit të pronarëve Qeveria ka vënë një fond toke prej 23 mijë hektarësh, si dhe një fond financiar prej 50 miliardë lekësh.
Sipas ligjit të ri, pronarët do të kompensohen në vlerën 20% të totalit në para’ dhe 80% në truall. Një prej problematikave më të debatuara të ligjit të pronave është përllogaritja e vlerës së kompensimit, e cila nuk bëhet sipas vlerës reale të tokës, por sipas zërit kadastral që ajo ka pasur përpara vitit 1945.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.