Auditim energjetik spitaleve – Konsumatorë të mëdhenj energjie, Dorri: Duhet rinovim i thellë
3 spitale rajonale, sikurse është ai i Korçës, Lezhës dhe Fierit do t’i nënshtrohen auditimin energjetik, duke synuar reduktimin e konsumit të energjisë përmes rindërtimit të tyre sipas parimit të eficencës së energjisë”. Kjo në bazë të një projekti të financuar nga Bashkimi Europian, i cili ka për qëllim të lehtësojë implementimin e Direktivës së Performancë Energjetike në Ndërtesa, duke përcaktuar karakteristikat dhe standardet për spitalet “zero energji”, në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Direktiva e Performancës Energjetike në Ndërtesa përcakton se deri në 31 dhjetor të vitit 2020, ndërtesat publike duhet të kenë ‘zero’ konsum energjie. Ndërkohë që, spitalet janë konsideruar si konsumatorë të mëdhenj të energjisë . Spitalet konsiderohen si sisteme komplekse, duke qenë se kanë disa funksione me kërkesa të larta energjetike, sikurse është kërkesa e lartë për ujë të nxehtë, pajisjet e kuzhinës, etj”.
Ndërkaq të dhënat paraprake për 3 spitalet e përzgjedhur për t’u audituar nga pikëpamja energjetike tregojnë se shumica e tyre janë ndërtuar me materiale jocilësore dhe kanë fasada të degraduara.
“Spitalet e Korçës, Lezhës dhe Fierit janë përzgjedhur qëllimisht, pasi janë vendosur në zona të ndryshme klimatike. Nga vëzhgimet paraprake, rezulton se ato janë ndërtesa të vjetra, termoizolimi i tarracave është modest, ndërsa materialet e përdoruar për ndërtimin e tyre janë jo cilësore. Këto spitale kanë nevojë për rinovim të thellë, përfshirë termoizolimin, ndriçim sipas parimit të eficencës së energjisë , të përdorin sisteme energjetike të rinovueshme, sikurse janë fotovoltaikët, etj”.
Në fund të projektit do të hartohen 3 raporte auditimi energjetik, si dhe do të jepen rekomandimet e plota mbi teknikat konkrete që duhet të përdoren, me qëllim kursimin e energjisë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.