Auditimi i partive për zgjedhjet e 25 Qershorit – KQZ shpall thirrjen për ekspertët kontabël

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë ftesë të gjithë ekspertëve kontabël, të cilët duan të bëhen pjesë e procesit të auditimit të shpenzimeve të subjekteve politike për fushatën zgjedhore të 25 Qershorit.
Auditimi i partive politike është një proces që dokumenton si janë përftuar fondet për fushatën, dhe si janë shpenzuar ato, duke dhënë një bilanc final të kostos së fushatës për çdo subjekt.
KQZ u ka bërë ftesë publike të gjithë ekspertëve kontabël të licensuar që të bëhen pjesë e shortit, i cili do të hidhet nga KQZ në mënyrë transparente, pasi të kenë mbërritur pranë këtij institucioni shfaqjet e interesit nga ekspertët.
Përveç kushteve të përgjithshme që duhen për të ushtruar profesionin, të interesuarit duhet të plotësojnë edhe këto kritere:
a) Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licensuar për jo më pak se 5 vjet.
b) Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël.
c) Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit.
d) Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse.
e) Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.
Data 20 Korrik është afati i fundit për depozitimin e dokumentacionit përkatës pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
SCAN
Fushata pa postera e flamuj- Sa i ka ulur kostot e subjekteve politike ky vendim?
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.