Australia, doza shtesë të Pfizer – Marrëveshje me Britaninë pas rritjes së rasteve në vend
Australia ka siguruar 4 milionë doza të vaksinës së Pfizer, në një marrëveshje të këmbimit me Britaninë, sipas kryeministrit Scott Morrison, që po përpiqet të bindë shtetet që të respektojnë planin kombëtar të rihapjes. Dozat shtesë do të mbërrijnë në Australi këtë muaj, duke dyfishuar furnizimin e disponueshëm për Shtatorin dhe përshpejtuar përpjekjen e vendit për të dalë nga masat e karantinës që po godasin ekonominë.
Marrëveshja e vaksinës erdhi përpara një takimi me liderët federal dhe shtetërorë, ku vendet pa infeksione si Queensland dhe Australia Perëndimore pritet të vonojnë rihapjen, për shkak të rritjes së rasteve në Sidnei dhe Melburn, 2 qytetet më të mëdha. Autoritetet në Queensland dhe Australi Perëndimore kanë thënë se do jenë dakord me objektivat e rihapjes kombëtare , kur rastet në Uellsin e Ri Jugor të bien.
Rajoni raportoi ditën më të keqe të pandemisë në 24 orët e fundit, nxitur nga varianti Delta, me 1,431 raste dhe 12 vdekje. Viktoria, ku ndodhet Melburni, raportoi 208 raste të reja, në rritje nga 176 një ditë më parë. Një total prej 58,200 rastesh dhe 1,032 vdekje janë raportuar në Australi që prej nisjes së pandemisë, shifër relativisht e ulët krahasuar me vende të tjera, por përhapja e Delta ka rënduar strategjinë e vendit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.