Austria “mbyll” jetën publike – Nis karantina e katërt kombëtare për të frenuar infeksionet rekord
Austria ka mbyllur jetën publike ditën e Hënë, ndërkohë që filloi karantina e katërt kombëtare kundër Covid-19, duke u bërë vendi i parë në Europën Perëndimore që rivendos masat e drastike , përballë rritjes së infeksioneve. Kjo karantinë është e ngjashme me të kaluarat, por është e para që vendoset pas disponimit të vaksinave gjerësisht. Shumica e vendeve ku mblidhen njerëzit, si restorantet, kafenetë, baret, parukeritë dhe dyqanet jo të nevojshme, nuk mund të hapen për 10 ditë fillimisht dhe mbase deri në 20 ditë, sipas qeverisë.
Tregjet e Krishtlindjeve, një tërheqje e madhe turistike që sapo nisën të hapen, duhet gjithashtu të mbyllen, në një ndryshim të minutës së fundit. Teleferikët e skive mund të qëndrojnë të hapura për të vaksinuarit. “Është një situatë ku duhet të reagojmë menjëherë”- tha Ministri i Shëndetësisë, Ëolfgang Meuckstein, duke shtuar se karantina e ashpër është opsioni i vetëm për të reduktuar infeksionet.
Qeveria konservatore vendosi një karantinë për të pavaksinuarit javën e kaluar, por rastet ditore vazhduan të thyejnë rekord. Të Premten e kaluar, qeveria lajmëroi se do rivendosë një karantinë të plotë ditën e Hënë dhe se do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin deri më 1 Shkurt, një hap që shumë pak vende e kanë ndërmarrë. Njerëzit mund të dalin nga shtëpia për vetëm pak arsye, si vajtja në punë apo blerja e produkteve të nevojshme. Ambientet e punës dhe shkollat do të qëndrojnë të hapura, por qeveria i ka kërkuar prindërve që të mbajnë fëmijët në shtëpi, nëse është e mundur.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.