Automjetet, monitorues të shëndetit! Makinat pritet të parashikojnë infarktet e drejtuesve të mjeteve
Infarkti në zemër, apo një goditje e diabetit mund të ketë pasoja fatale për drejtuesit e automjeteve, në momentin që ata janë duke drejtuar makinën. Studiuesit e Qendrës për Kërkimet e Sigurisë të kompanisë “Toyota“ në Japoni synojnë t’i japin zgjidhje këtij problemi, duke hulumtuar se si, pajisjet që vishen në trup mund të ndihmojnë makinat e së ardhmes, “smart”, për të shpëtuar jetët e njerëzve, duke parashikuar urgjencat mjekësore, përpara kohe.
Dita kur, makinat “smart” – me pilot automatik, ose jo – do të kujdesen për shëndetin e drejtuesve të tyre mbetet për t’u parë në të ardhmen. Gjithsesi, Qendra e Kërkimeve ka shprehur besimin se ia vlen të investohet në këtë teknologji dhe kërkimet shkencore nevojiten për ta afruar edhe më shumë të ardhmen. Këto studime dhe kërkime do të kushtojnë rreth 35 milionë dollarë dhe pritet të zgjasin deri në vitin 2021.
Studiuesit kanë filluar bashkëpunimin me universitetet, për të parë nëse pajisjet elektronike që vishen në trup, siç janë orët “smart”, ndonjë ditë mund të vihen në provë, për të qenë po aq të sakta në ndërhyrje, sa edhe pajisjet mjekësore klinike, në monitorimin e shenjave të parandalimit të infarkteve në zemër, apo edhe humbjes së ndjenjave, për shkak të niveleve të ulëta të sheqerit në gjak.
Drejtuesit e këtyre kërkimeve shkencore kanë theksuar se janë përqendruar kryesisht te faktorët shëndetësorë, të cilët mund të kenë kontribuuar në aksidente rrugore dhe kanë hulumtuar mbi sinjalet që mund të perceptohen më parë, nëpërmjet pajisjeve elektronike, që mund të vishen në trup.
Infarktet, një prej shkaqeve kryesore të aksidenteve rrugore në SHBA
Studimi i zhvilluar nga Administrata Kombëtare e Sigurisë në Trafik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka përllogaritur se rreth 1.3% e aksidenteve janë shkaktuar nga urgjencat mjekësore. Kjo mund të mos jetë një shifër e madhe, por, gjithsesi nënkupton se kushtet shëndetësore kanë qenë, së paku, pjesërisht përgjegjëse, për më shumë se 26 mijë aksidente automobilistike, ku frekuenca e të cilëve ka tejkaluar shifrat e 2 milionë automjeteve. Infarktet në zemër kanë përfaqësuar rreth 11% të rasteve të aksidenteve të shkaktuara nga kushtet mjekësore, apo rreth 2680 aksidente.
Nga ana tjetër, përplasjet, për shkak të luhatjeve të niveleve të diabetit kanë patur një pjesë më të madhe, në rreth 20% dhe kjo, e përkthyer në shifra prek nivelin 5200. Studiuesit e kompanisë “Toyota“ në Japoni kanë parapëlqyer të përqendrohen në këto dy kushte, sepse besojnë se pajisjet teknologjike që mund të vishen në trupin e njeriut mund të identifikojnë dhe parandalojnë këto kushte, në të ardhmen.
Urgjencat mjekësore, të cilat përfshijnë diabetin apo infarktet kanë gjasa të bëhen më të zakonshme përgjatë grup-moshave të mëdha të drejtuesve të mjeteve. Për shembull: Infarktet, shpesh ndodhin te të rriturit, të moshës, mbi 65 vjeç. Zyra Amerikane e Censusit ka arritur në përfundimin se popullsia mbi 65 vjeç në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të dyfishohet, nga 43 milionë, në 84 milionë, deri në vitin 2050.
Sinjalet EKG dhe pajisjet “smart”
Një pjesë e përpjekjeve të studiuesve japonezë të kompanisë “Toyota“ përfshin bashkëpunimin me Universitetin e Miçiganit, për të krijuar një sistem të brendshëm të automjetit, i cili mund të ndihmojë shumë në parandalimin e sulmeve në zemër të drejtuesve të mjeteve. Qëllimi i menjëhershëm i këtij projekti është të vendosë një standard dhe një bazë shkencore, për të identifikuar, në mënyrë të saktë, infarktet, bazuar në sinjalet elektro-kardio-grafike.
Shkencëtarët, së pari, kanë përdorur pajisje mjekësore të shkallës së lartë, në një komplet klinik, për të mbledhur të dhëna, mbi të cilat, sinjalet elektro-kardio-grafike, mund të parashikojnë më mirë infarktet. Kuptimi i një gjëje të tillë është një hap i nevojshëm edhe më përpara se brezat e orëve “smart”, apo pajisjet e tjera elektronike që mund të vishen në trup, të arrijnë saktësinë e shkallës mjekësore, të nevojshme për të parashikuar infarktet.
Qendra e Kërkimeve të Sigurisë në kompaninë e automjeteve ka bërë të ditur se niveli i kërkuar i saktësisë që nevojitet për të identifikuar dhe parandaluar kushtet e zemrës nuk është arritur ende siç duhet, me pajisjet elektronike që mund të vishen në trup. Një pjesë tjetër e rëndësishme e këtij studimi përfshin filtrimin e sinjaleve elektro-kardio-grafike nga zhurma e një makine në lëvizje.
Ky nuk është një problem, që kërkuesit e hasin kryesisht në kushtet e izoluara, por pajisjet që mund të vishen në trup, bashkë me programet e tyre, mund të nevojiten për të funksionuar edhe në kushte të zhurmshme të një makine në rrugë. Përsa i përket anës së programeve, studiuesit synojnë të shfrytëzojnë fuqinë e algoritmeve, për të ndihmuar në filtrimin e zhurmës dhe për të marrë sinjale sa më të mira elektro-kardio-grafike.
Studiuesit kanë thënë se janë përqendruar në spektrin e gjerë të sinjaleve të zhurmshme dhe në gjetjen e algoritmeve të pajisjeve të inteligjencës artificiale, për t’i qartësuar ato dhe për të krijuar modele zhurmash, të cilat do të ndihmojnë për të identifikuar kushtet mjekësore të zemrës dhe, me shumë mundësi, për të parandaluar ndonjë të papritur të mundshme.
Nivelet e sheqerit, shkak aksidenti te diabetikët
Kompania japoneze e automjeteve, “Toyota“ është duke vënë në zbatim një filozofi të tillë, për të penguar humbjen e ndjenjave për shkak të uljes së nivelit të sheqerit në gjak te drejtuesit e automjeteve, të cilët vuajnë nga diabeti.
Studiuesit e kompanisë janë duke zhvilluar bashkëpunime edhe me Universitetin e Nebraskas, në një projekt tjetër të ndarë, i cili po teston se si ndikojnë në sjelljen dhe sigurinë e drejtuesve të automjeteve, nivelet e ndryshme të glukozës në gjak.
Drejtuesit e automjeteve nuk duhet të presin përpara vitit 2021, që makinat e tyre, të parashikojnë infarktet në zemër, por sukseset në hedhjen e bazave për monitorimin e kushteve do të krijojnë hapësirën e mundshme për të testuar pajisjet elektronike që mund të vishen në trup, si dhe konfigurimet e programeve kompjuterike, me drejtuesit vullnetarë.
Kompania japoneze e prodhimit të makinave, “Toyota“ ka planifikuar të ndajë rezultatet e kërkimeve, me pjesën tjetër të industrisë së automjeteve dhe me komunitetin studiues.
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.