Autoriteti i Konkurrencës merr mbështetje nga BERZH – Pajton konsulent për të forcuar institucionin

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka vendosur të mbështesë Autoritetin e Konkurrencës në forcimin e kapaciteteve dhe forcimin e nivelit të ekspertizës të zyrtarëve.
Banka gjykon se AK nuk ka strukturën apo fuqinë e duhur investiguese, një pjesë e legjislacionit parësor duhet afruar me atë të BE, ndërsa legjislacioni dytësor ka nevojë të zhvillohet.
Në këto kushte, vetë AK i ka kërkuar BERZH të ofrojë asistencë teknike dhe tashmë banka propozon angazhimin e një firme konsultimi, ose një grup firmash për të ofruar ndërtimin e kapaciteteve, forcimin e rolit përkrahës dhe mbështetje me rishikimin e legjislacionit.
Firma duhet të ketë përvoja të ngjashme dhe të njohë mirë mjedisin rregullator në Shqipëri. Ekipi do të përbëhet nga një ekspert ekonomie të konkurrencës, një ekonometrist, si dhe një ekspert të ligjit të konkurrencës.
Mbështetja do të vijë në formën e trajnimeve dhe studimeve të praktikave ndërkombëtare, ofrimin e një programi kompjuterit për ekonometrinë, si dhe ekspozimin ndaj praktikave më të mira të zgjedhura nga autoritet e konkurrencës në BE.
Detyra, e cila pritet të nisë në Mars 2018, do të ketë një kosto prej rreth 248 mijë eurosh, të cilat do të vijnë nga Fondi Special i Aksionerëve të BERZH.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.