Autorizimet për qarkullimin e mjeteve/ Policia: Krijohet aplikacioni i ri “COVID-19” për të lehtësuar procedurën
Policia e Shtetit ka njoftuar se për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve në lidhje me zgjidhjen e kërkesave të domosdoshme dhe për nevoja urgjente shëndetësore dhe të biznesit, për qarkullim me mjetet e tyre, në faqen zyrtare të saj (www.asp.gov.al), ka publikuar një aplikacion të ri me emërtimin “Covid-19″ – Lëvizja e kontrolluar me mjet!”
Sipas njoftimit të gjitha vetëdeklarimet, kërkesat për autorizime personale apo autorizime biznesi do të kryhen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit, nëpërmjet këtij aplikacioni. Për pajisjen me autorizim të ri, qytetarët duhet të plotësojnë njërin nga “deklarimet” e vëna në dispozicion: Vetëdeklarim, Autorizim Personal ose Autorizim Biznesi, duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://autorizime.asp.gov.al.
“Gjatë aplikimit është e rëndësishme vendosja e saktë e të dhënave që i kërkohen aplikuesit, motivi i qarkullimit dhe itineraret e kërkuara. Në përfundim të aplikimit shfaqet një numër aplikimi, i cili i jep mundësinë qytetarëve të ndjekin fazat e konfirmimit të kërkesës së tyre online, duke rritur kështu në maksimum transparencën e komunikimit të Policisë me qytetarët, bën me dije Policia.
Policia e Shtetit ka marrë masa për të përballuar shqyrtimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve dhe bën me dije se çdo aplikim që plotëson kriteret sipas kërkesave të formularëve dhe miratohet nga ana e Policisë Rrugore do të jetë e verifikueshme nga patrullat e Policisë gjatë kontrolleve të ndryshme, në të gjithë territorin e vendit. Sipas njoftimit të gjitha autorizimet e lëshuara më parë nga Policia dhe ato të konfirmuara nëpërmjet email-it nga ana e Policisë janë të vlefshme dhe nuk është e nevojshme të aplikohet përsëri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.