Autostrada e Ballkanit Nish-Prishtinë fillon në 2018, lidh Shqipërinë me Serbinë

Autostrada Nish-Prishtinë, e cila jo vetëm do të lidhë Shqipërinë me Serbinë por do të jetë edhe linja kryesore e transportit në Ballkanin Perëndimor pritet të fillojë ndërtimin vitin e ardhshëm.
Projekti kap një vlerë totale prej 800 milionë eurosh dhe është ndër prioritetet kryesore të Komisionit Europian në rajon. Autostrada do të shërbejë edhe për të lidhur Turqinë me vendet e Bashkimit Europian.
Autostrada ka një rëndësi mjaft të madhe për ekonomitë e rajonit, ndërkohë që përfitimet financiare prej saj do të tejkalojnë bindshëm koston e ndërtimit, deklaroi Nenad Djurdjevic, i dhomës serbe të tregtisë.
“Projekti do të ketë një rëndësi mjaft të madhe, dhe nuk po flasim vetëm për segmentin Beograd-Prishtinë, që lidh Serbinë me Shqipërinë, por edhe për të gjithë korridoret e tjerë të transportit që do të ndërtohen nën kornizën e procesit të Berlinit”-shtoi ai.
Autostrada do të lidhet edhe me korridorin katër, që kalon nga Bullgaria në Rumani, e që më pas lidhet me korridorin 10 dhe 6, Shkup-Prishtinë, por edhe me rrugën 2B që lidh Sarajevën me portin e Vlorës në Shqipëri nëpërmjet Podgoricës. Autostrada do të lidhë Tiranën, Prishtinën, Nishin, Sofien dhe Turqinë nga njëra anë, dhe bashkimin Europian nga ana tjetër.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.