Autostrada Nish-Prishtinë përfundon në 2020, e ndërtojnë vendasit

Ministria e infrastrukturës në Serbi deklaroi se, autostrada Nish-Prishtinë, që më pas do të çojë në krijimin e asaj që quhet ndryshe Autostrada e Ballkanit, do të ndërtohet në pjesën serbe nga kompani vendase me forcë punëtore vendase.
Segmenti në Serbi do të jetë i gjatë 77 kilometra. Investimi ndërkohë kap shifrën e 800 milionë eurove. Po sipas ministrisë serbe të infrastrukturës, autostrada do të përfundojë brenda vitit 2020. Punimet ndërkohë pritet të fillojnë vitin e ardhshëm.
Nish-Prishtinë ka për synim kryesor të lidhë Serbinë me Shqipërinë me destinacion kryesor portin e Durrësit. Autostrada do të lidhet edhe me korridorin katër, që kalon nga Bullgaria në Rumani, e që më pas lidhet me korridorin 10 dhe 6, Shkup-Prishtinë, por edhe me rrugën 2B që lidh Sarajevën me portin e Vlorës në Shqipëri nëpërmjet Podgoricës.
Autostrada do të lidhë Tiranën, Prishtinën, Nishin, Sofien dhe Turqinë nga njëra anë, dhe Bashkimin Europian nga ana tjetër. Projekti do të financohet nga Fondi Europian për Ballkanin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.