Autostrada Tiranë-Elbasan/9 muaj pas rrëshqitjes, nisin punimet për rehabilitimin
9 muaj pas rrëshkitjes së masivit shkëmbor në një prej segmenteve të autostradës Tiranë-Elbasan, kanë nisur punimet për rehabilitimin e këtij aksi.
Punimet do të kryhen nga firma “2T”, e cila është shpallur fituese e garës së prokurimit publik. Sipas ofertës së bërë nga kjo kompani, kosto totale e kontratës do të jetë rreth 371 milion lekë, një shumë afër fondit limit prej 374 milion lekësh, të vënë në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Ndërkaq, nisja e punimeve është inspektuar edhe nga kreu i këtij dikasteri, Afrim Qendro, i cili bëri me dije se punimet do të zgjatin 4 muaj.
“Sot fillojmë rehabilitimin e rrëshqitjes këtu në Mamel. Ka kaluar kohë derisa buxheti u bë efektiv dhe sa u kryen të gjitha procedurat nga përgatitja e projektit deri në lidhjen e kontratës. Kemi një kontratë të lidhur me kompaninë dhe ka filluar puna. Është një rrëshqitje e cila sjell goxha problematikë në trafik. Në bashkëpunim me Policinë Rrugore do të bëhet menaxhimi i trafikut, për një periudhë prej 4 muajsh, e mjaftueshme për të kryer gjithë këtë stabilizim të rrëshqitjes”.
Pas rrëshkitjes së masivit shkëmbor dhe bllokimit të njërit drejtim të autostradës, aktualisht kalimi i automjeteve në këtë aks kryhet përmes një by-passi në kahun tjetër të saj.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.