Avantazhet e Bursës – AMF: Promovojmë edukimin e publikut dhe biznesit

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e vlerëson si mision të vetin edukimin e publikut dhe, në veçanti të biznesit, lidhur me produktet e Bursës. Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, tha se licencimi i Bursës shqiptare të Titujve është një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin e tregut financiar në vend. Ai tha se AMF do të garantojë një mbikëqyrje rigoroze, por, nga ana tjetër, do të punojë në mënyrë aktive për të sensibilizuar biznesin rreth avantazheve të përdorimit të instrumenteve të tregut të kapitalit.
“Për sa i përket bursës, të cilën ne e shikojmë pozitivisht si autoritet dhe të gjithë faktorët e tregut e kanë parë shumë pozitivisht zhvillimin e saj, por siguroj se do të jemi shumë të kujdesshëm, prudentë, në monitorimin e saj. Padiskutim që gjëja më e rëndësishme në funksionimin e saj është që të gjithë faktorët dhe publiku të kenë edukimin e nevojshëm financiar. Përveçse përgjegjësive që ka vetë bursa që ta bëjë këtë, edhe ne si autoritet kemi përgjegjësitë tona dhe folëm për edukimin financiar të publikun nëpërmjet strategjisë që kemi miratuar dhe një plan veprimi konkret që të fillojmë ta zbatojmë nga muaji Tetor dhe do të jemi fokusuar që të ndikojmë tek biznesi, tek institucionet publike ligjzbatuese që të kemi kulturën të gjithë së bashku të nevojshme financiare që bursa të kthehet në një mjet efekt për të çliruar energji pozitive për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha kreu i AMF.
I pyetur nga TV SCAN, zoti Koçi u shpreh gjithashtu se AMF po punon për disa ndryshime në ligjin për sipërmarrjet e investimeve kolektive. Pjesë e diskutimeve është edhe lejimi i fondeve të investimit për të blerë obligacione të korporatave shqiptare. Kjo do të mundësonte një diversifikim të strukturës së aseteve dhe do të siguronte përfitime më të mëdha për anëtarët e këtyre fondeve.
“Kjo do të jetë në ligjin e ri dhe do të miratohet vitin tjetër. Do jetë objekt diskutimi sepse këtë nuk mund ta vendosë vetë autoriteti por do të diskutohet me faktorët e tregut, me politikat që ka qeveria shqiptare, me grupin e këshillimit të stabilitetit financiar ku bën pjesë Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti. Pra, do jetë një diskutim i gjerë dhe nuk mund të vendoset thjesht se kjo ndikon në zhvillim, por do shikohet se çfarë risku ka nëse ne krijojmë mundësinë që ky produkt të jetë në treg”, u shpreh Koçi.
Hapja e Bursës pritet të jetë një zhvillim shumë i rëndësishëm për sistemin financiar dhe për ekonominë shqiptare. Bizneset do të kenë mundësinë të sigurojnë financime me kosto më të ulët, ndërsa individët dhe investitorët institucionalë, si fondet e investimit, do të kenë mundësinë të zgjerojnë spektrin e investimeve të tyre financiare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.