Avantazhet e politikave lehtësuese – Draghi: Mjedisi aktual jep mundësi për zbatimin e reformave
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha në një fjalim në Frankfurt se politikat lehtësuese monetare i japin qeverive të Eurozonës një serë mundësish për të zbatuar reformat që duhen për t’i dhënë nxitje ekonomisë, përpara se normat e interesit të fillojnë të rriten.
“Hulumtimet e Bankës Qendrore Europiane zbulojnë se nuk ka prova që normat e larta të interesit sjellin përshpejtimin e reformave. Në të kundërt, normat e ulëta të interesit krijojnë një mjedis më të mirë makroekonomik, që zakonisht i promovon ato”, tha presidenti i institucionit në Frankfurt.
Duke përmendur eksperiencën nga kriza financiare, Draghi shtoi se vendet me ekonomi më fleksibël reagojnë më mirë ndaj goditjeve të përbashkëta.
“Ekonomitë e Eurozonës që ishin më fleksibël dhe me prezencë më të fortë të institucioneve përpara krizës, matur nga treguesi i të bërit biznes për 2009-ën, kanë patur rimëkëmbje më të fortë ekonomike. PBB për frymë te këto vende është rritur më shpejtë dhe papunësia ka vazhduar rënien”, tha Draghi.
Për vendet që kanë patur vështirësi në zbatimin e reformave gjatë krizës, Draghi përmendi disa elementë që janë bërë mësim nga eksperiencat e kaluara si; përmbledhja e reformave, shtrirja e tyre si dhe kombinimi i politikave makroekonomike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.