Avionët, rekord vonesash – AAC: 188 vonesa dhe 27 anulime, kompanitë që kryesojnë listën
Viti 2018 ka shënuar numrin më të lartë të vonesave dhe anulimeve të fluturimeve, në raport me vitet e kaluar.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil, për vitin që sapo lamë pas u regjistruan 188 vonesa mbi 2 orë si dhe 27 anulime. Ndërkohë që kompanitë më problematike janë ato që operojnë drejt Italisë, ku listën e kryeson ‘Fly Ernest” me 72 vonesa dhe 14 anulime.
Pas saj renditet “Blue Panorama” dhe “Albawings”, ndjekur nga kompania Adria, që pozicionohet në vendin e 4-t. Sipas Aviacionit Civil, shkaqet kryesore të kësaj situate lidhen me mungesën e kapaciteteve, operimit dhe problemeve teknike apo grevat e shumta në veçanti të disa kompanive ajrore.
Ndërkaq, pavarësisht se kjo është një problematikë e ngritur përgjatë gjithë vitit 2018, deri më tani Aviacioni Civil nuk ka bërë publike asnjë masë që do të shërbente për përmirësimin e situatës. Sipas këtij dikasteri deklarohet fakti se po punohet ngushtësisht me palën italiane dhe me Komisionin Europian për të rikthyer normalitetin për respektimin e të drejtave të pasagjerëve, por nuk bëhet e ditur se si po punohet në drejtim të parandalimit të këtyre situatave.
Në fakt, sipas të dhënave të raportuara në drejtim të të drejtave të pasagjerit ka një rritje të numrit të kompensimeve për pasagjerët që preken nga vonesat apo anulimet, pasi përgjatë vitit 2018 përfituan 700 prej tyre.
Por, ky është një përfitim që merret pas dëmit të shkaktuar, ndërkohë që pjesa dërrmuese e pasagjerëve këmbëngulin në shmangien e vonesave apo anulimeve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.