Avioni, transporti më i sigurt. Europa e para, vetëm 1 aksident çdo 4 mln fluturime

Avionët vijojnë të mbeten mjeti më i sigurt i transportit. Pavarësisht kësaj, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 268 viktima, kundrejt 136 që ishin vitin paraardhës. Në total kanë fluturuar 3.8 miliardë pasagjerë, për një total prej 40.4 milionë fluturimesh.
Rezultati i vitit 2015, me 136 viktima në total, ishte shumë i vështirë për t`u përsëritur. Statistikisht, në 2016 u regjistrua një aksident çdo 2.56 milionë fluturime, çka tregon edhe njëherë sa i sigurt është qielli si rrugë transporti. Gjatë të gjithë vitit të kaluar janë regjistruar në total 20 aksidente ajrore.
Vendet ku regjistrohet edhe numri më i lartë i aksidenteve ajrore janë: Lindja e mesme me 2.5 aksidente në 1 milionë fluturime, Azia dhe Paqësori, me 0.38 çdo 1 milionë fluturime, Karaibet dhe Amerika Latine, me 0.79 çdo 1 milionë.
Rajonet më të sigurta ndërkohë janë: Amerika me 0.31 çdo 1 milionë dhe Europa, që kurorëzohet kështu në vendin e parë, me vetëm 0.27 aksidente çdo 1 milionë fluturime. Pavarësisht rritjes së numrit të viktimave gjatë 2016-ës në krahasim me 2015, të dhënat tregojnë se transporti ajror vazhdon të bëhet më i sigurt, duke qenë se edhe numri i fluturimeve rritet ndjeshëm çdo vit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.