“Avullojnë” fitimet e telefonisë
Viti 2016 ka qenë një pikë e rëndësishme kthese në tregun e komunikimeve. Prej vitesh tashmë, ky treg nuk është më një parajsë fitimesh të mëdha, siç ishte dikur, sidomos për gjigandët e telefonisë së lëvizshme, si “AMC” (sot “Telekom Albania”) apo “Vodafone Albania”. Por, viti 2016 i ka tkurrur fitimet e këtyre kompanive në nivele pothuajse të papërfillshme, në raport me përmasat dhe volumet e qarkulluara prej tyre. Konkurrenca gjithnjë e më e ashpër dhe rregullimi gjithnjë e më i shtrënguar i tregut ka bërë që fitimet jo vetëm të ulen, por, të jenë tashmë një sfidë edhe për kompanitë me fuqi të lartë tregu.
“Vodafone”, për herë të parë me humbje
“Vodafone Albania” mbajti edhe për vitin 2016 pozicionin e konsoliduar tashmë të operatorit më të madh të shërbimeve të lëvizshme në vend. Megjithatë, ditët kur fitimet e kompanisë ishin në rendin e dhjetëra milionë eurove janë shumë larg. Sipas bilancit të audituar të vitit 2016, “Vodafone” rezultoi një rezultat financiar negativ neto në vlerën e 481 milionë lekëve. Kjo është hera e parë që “Vodafone” mbyll një vit financiar me humbje, që nga nisja e aktivitetit të vet në Shqipëri, 16 vjet më parë. Në fakt, rezultatet nga veprimtaria e shfrytëzimit edhe për vitin e kaluar ishin pozitive. Të ardhurat e kompanisë u rritën me afro 9% krahasuar me vitin paraardhës, për një total prej 17.2 miliardë lekësh. Ndërsa rezultati operativ ishte sërish pozitiv, në vlerën e 399 milionë lekëve, ndonëse në rënie krahasuar me vitin 2015.
Përcaktues në rezultatin financiar me humbje ka qenë zhvlerësimi i investimeve në filiale dhe, më konkretisht, dështimi i deritanishëm me kompaninë e shërbimeve financiare “Vodafone M-Pesa”. Kjo kompani akumuloi humbje edhe për vitin e kaluar, çka e detyroi “Vodafone Albania” të vendosë pezullimin e aktivitetit të këtij filiali, duke filluar nga muaji korrik 2017. Humbja e “Vodafone” u rëndua më tej nga sasia e madhe e shpenzimeve të panjohura për efekte të llogaritjes së tatim-fitimit. Shpenzimet e panjohura nga organet fiskale kishin vlerën e miliona eurove, përfshi këtu shpenzimet për pritje dhe dhurata, gjoba e penalitete, zhvlerësim të aseteve, etj.
Për sa i takon treguesve jofinanciarë, “Vodafone” u konfirmua në krye të tregut të telefonisë celulare edhe për vitin e kaluar. Në fund të vitit 2016, numri i përdoruesve aktivë (ata që kanë përdorur shërbimet të paktën njëherë në tre muajt e fundit) arriti në 1.7 milionë, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë. “Vodafone” zotëronte rreth 51% të numrit të përdoruesve aktivë të telefonisë celulare, duke kryesuar me një diferencë të konsiderueshme ndaj operatorëve të tjerë.
“Telekom Albania”, fitimi bie në “thërrime”
Viti 2016 ishte viti më negativ për “Telekom Albania” (ish-“AMC”) në kuptimin e performancës financiare. Kompania e mbylli vitin me një fitim neto në vlerën e 22 milionë lekëve, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë nga kjo kompani, që nga viti 2000, kur u ble nga grupi grek “Cosmote”. Krahasuar me vitin 2015, fitimi neto ka rënë me 96%. Bilanci do të ishte akoma më negativ, po t’i referohemi vetëm rezultatit operativ, që ishte me humbje në vlerën e 473 milionë lekëve. Humbjet në bilanc u shmangën falë të ardhurave të larta që “Telekom Albania” përfiton nga investimet në instrumente financiare, kryesisht obligacione të grupit mëmë “OTE”. Për vitin 2016, të ardhurat e kompanisë nga interesat financiare kishin vlerën e afro 1.7 miliardë lekëve. Falë fitimeve të mëdha të akumuluara dhe të pashpërndara në vite, “Telekom Albania” ka krijuar një portofol të madh të investimeve në tituj dhe që përfaqësojnë një burim të qëndrueshëm të ardhurash. Por, përveç strehës së sigurt të të ardhurave nga investimet financiare, ecuria e “Telekom” në treg nuk ishte shumë e mirë as për vitin 2016. Të ardhurat operative pësuan rënie në 10.6 miliardë lekë, 8.5% më pak krahasuar me vitin 2015. Rënie ka pësuar edhe numri i përdoruesve aktivë, në pak më shumë se 1 milionë, ose 8.3% më pak krahasuar me vitin 2015.
“Albtelecom”, “kërrusur” nga barra e borxheve
“Albtelecom” mbylli një tjetër vit financiar me humbje të mëdha. Sipas bilancit të kompanisë, viti 2016 rezultoi me humbje në vlerën e 1.24 miliardë lekëve, vlerë kjo sidoqoftë ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitin 2015, kur humbja kishte vlerën e 2.2 miliardë lekëve. Edhe “Albtelecom” pësoi një rënie të xhiros vjetore, ashtu si shumica e kompanive të sektorit, rrjedhojë e konkurrencës së ashpër dhe përshkallëzimit të masave rregullative në segmentin e shërbimeve celulare. Të ardhurat e kompanisë zbritën në 9.2 miliardë lekë, nga 10.2 miliardë që patën qenë në vitin 2015. Pavarësisht nga kjo, “Albtelecom” arriti të përmirësonte ndjeshëm rezultatin operativ, duke i reduktuar humbjet në 153 milionë lekë, nga 1.4 miliardë lekë në vitin paraardhës. Megjithatë, përcaktuese në rezultatin financiar final, ashtu si në rastin e “Telekom Albania”, ishte bilanci i të ardhurave dhe shpenzimeve financiare. Nëse të ardhurat financiare e ndihmuan “Telekom” të arrinte një fitim, sado minimal, në rastin e “Albtelecom” ishin shpenzimet financiare që i thelluan humbjet. “Albtelecom” shpenzoi vitin e kaluar 1.3 miliardë lekë për interesa, në rritje të mëtejshme nga 1.22 miliardë lekët e vitit 2015. Pesha e rëndë e interesave financiare në bilanc vjen për shkak të borxheve të mëdha të kompanisë. Veç detyrimeve të tjera, në fund të vitit 2016, “Albtelecom” kishte mbi 16 miliardë lekë hua, nga të cilat 13 miliardë lekë ishin hua afatgjata. Kreditorët kryesorë të “Albtelecom” janë banka zhvillimi, banka tregtare brenda dhe jashtë vendit si edhe grupi zotërues “Çalik Holding”. Kjo barrë e rëndë borxhesh duket se do të peshojë në rezultatet e “Albtelecom” edhe për vitet në vazhdim, me pasojat e veta në rezultatet e kompanisë. Në kushtet e konkurrencës së ashpër, rritja e të ardhurave të operatorëve po bëhet një sfidë serioze, siç provojnë edhe bilancet e kompanive në 2-3 vitet e fundit. Nga ana tjetër, ulja e shpenzimeve është e vështirë, duke qenë se vetë konkurrenca dikton investime të mëdha në marketing, teknologji dhe burime njerëzore. Ulja e shpenzimeve është akoma më e vështirë për kompanitë si “Albtelecom”, që kanë hua në shuma të mëdha dhe, rrjedhimisht, shpenzime të larta për interesa.
Për “Albtelecom”, tregu paraqet sfida të mëdha sidomos në segmentin e shërbimeve celulare. Baza e abonentëve në këtë treg ngelet relativisht e ulët, me 443 mijë përdorues aktivë në fund të vitit të kaluar, shifër kjo afro 9% më e ulët krahasuar me vitin 2015. Me vetëm 13% pjesë tregu, rritja e të ardhurave dhe sigurimi i përfitueshmërisë në këtë segment ngelet shumë e vështirë.
“Plus”: kapital negativ, por fitim rekord
Duke parë bilancet zyrtare të kompanive të mëdha të telefonisë, bien në sy elementë surprizues. Kështu, kompania me fitimin më të lartë për vitin 2016 ishte “Plus Communication”. Siç dihet, ky operator prej vitesh ndodhet në vështirësi dhe në kufijtë e mbijetesës. Kapitali aksioner i saj është në vlera negative dhe vijimësia e kompanisë varet nga mbështetja e vazhdueshme me para e aksionerëve. Ky fakt është nënvizuar edhe nga auditi që ka çertifikuar bilancin e kompanisë për vitin 2016. Vitin e kaluar, “Plus Communication” raportoi një fitim neto në vlerën e 946 milionë lekëve. Ky është fitimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë nga kjo kompani. Megjithatë, duke qenë se bilanci është publikuar pa shënimet shpjeguese, është e vështirë të shpjegohet një rezultat i tillë për një kompani në vështirësi serioze financiare. Një shpjegim mund të gjendet në faktin që, vitin e kaluar “Plus Communication” finalizoi shitjen e kompanisë bijë “Plus Network” tek “Hightel Albania”, një shoqëri me kapital italo-shqiptar. Kompanisë “Plus Network” iu transferuan aktivet kryesore teknologjike të “Plus”, ku përfshihen kullat, antenat dhe instrumentet e tjera që përbëjnë rrjetin e kompanisë. “Hightel Albania” është një kompani që kontrollohet në pjesën më të madhe nga kompania italiane “Hightel Towers”, me aktivitet të ngjashëm edhe në Itali, megjithatë, në filialin shqiptar, aksionerë janë edhe disa prej ortakëve të “Plus Communication”. Shitja e rrjetit mund të ketë qenë një lëvizje për të garantuar mbijetesën e “Plus” në afatin e shkurtër, por, ndoshta edhe për të ulur kostot e operimit.
Për vitin 2016, “Plus” raportoi një rritje të të ardhurave nga shërbimet e telekomunikacionit në 3.1 miliardë lekë, afro 50% më shumë se në vitin 2015. Rritja e të ardhurave operative të “Plus” është paradoksale, po të ballafaqohet me statistikat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, lidhur me numrin e përdoruesve dhe pjesën e tregut në shërbimet e telekomunikacionit. Vitin e kaluar, numri i përdoruesve të “Plus” (karta SIM) ra me 43%, ndërsa numri i përdoruesve aktivë (ata që kanë komunikuar në tre muajt e fundit) ra me 18%. Në kushtet e një rënieje të ndjeshme të numrit të përdoruesve, është e vështirë të mendohet një rritje kaq e lartë e të ardhurave, qoftë nga shërbimet me pakicë, ashtu edhe nga ato me shumicë (të ardhura nga interkoneksioni).
Sidoqoftë, veç rritjes së të ardhurave nga shërbimet e telekomunikacionit, përcaktuese në arritjen e një rezultati të lartë financiar ka qenë sidomos një e ardhur shtesë prej mbi 1 miliard lekësh, për të cilën nuk ekzistojnë shënime shpjeguese në pasqyrat financiare.
Ersuin Shehu/SCAN Magazine
Treguesit kryesorë të “Vodafone Albania”
Viti 2015 | Viti 2016 | Ndryshimi | |
Të ardhurat (miliardë lekë) | 15.8 | 17.2 | 9.1% |
Rezultati financiar neto (milionë lekë) | 226 | -481 | – |
Numri i përdoruesve aktivë (milionë) | 1.61 | 1.71 | +6.3% |
Treguesit kryesorë të “Telekom Albania”
Viti 2015 | Viti 2016 | Ndryshimi | |
Të ardhurat operative (miliardë lekë) | 11.4 | 10.4 | -8.5% |
Rezultati financiar neto (milionë lekë) | 541 | 22 | -96% |
Numri i përdoruesve aktivë (milionë) | 1.13 | 1.03 | -8.3% |
Treguesit kryesorë të “Albtelecom”
Viti 2015 | Viti 2016 | Ndryshimi | |
Të ardhurat operative, fix+mobile (miliardë lekë) | 10.2 | 9.2 | -9.2% |
Rezultati financiar neto (milionë lekë) | -2 207 | -1 245 | +43.6% |
Numri i përdoruesve aktivë, mobile (milionë) | 0.48 | 0.44 | -8.6% |
Treguesit kryesorë të “Plus Communication”
Viti 2015 | Viti 2016 | Ndryshimi | |
Të ardhurat operative (miliardë lekë) | 2.2 | 3.1 | +41.2% |
Rezultati financiar neto (milionë lekë) | 88 | 946 | +975% |
Numri i përdoruesve aktivë (milionë) | 0.22 | 0.18 | -17.7% |
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.