Axhenda e Kuvendit – Dekretet e Nishanit dhe marrëveshjet tregtare gati për votim

Kuvendi i Shqipërisë pritet të ketë një axhendë të ngjeshur të enjten në seancë plenare. Pas dekretimit pak ditë më pare të ministrave të rinj nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në Kuvend priten të votohen ndryshimet e fundit në qeveri të propozuara nga kryeministri Edi Rama.
Në axhendën e seancës janë përshirë dekretet për shkarkimin dhe emërimin e katër ministrave: Saimir Tahiri lë ministrinë e Brendshme dhe në vend të tij pritet të votohet Famit Xhafaj, Ilir Beqaj pritet të zëvendësohet nga Ogerta Manastirliu në Ministrinë e Shëndetësisë, Eduard Shalsi pritet të marrë vendin e Bledi Çuçit në Ministrinë e Shtetit për Çështjet Vendore dhe në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka propozohet në vend të Blendi Klosit.
Në seancën plenare të së enjtes është përfshirë edhe projektligji për “Dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”.
Më ketë nismë, qeveria shtyn afatet ligjore të dorëzimit të dokumentacionit për ish-të dënuarit politik deri në fund të këtij viti. Rreth 320 ish-të dënuar politik të cilët kanë paraqitur kërkesën për përfitimin e dëmshpërblimit financiar në Ministrinë e Drejtësisë pas përfundimit të afateve ligjore, me projektligjin e ri futen në skemën e dëmshpërblimeve.
Dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të kategorisë parësore, llogariten në vlerën e rreth 919 milionë lekëve, ndërsa efektet financiare të projektligjit, vetëm për 1 këst, përllogariten rreth 115 milionë lekë.
Deputetët e mazhorancës pritet të votojnë edhe projektligjin për “ratifikimin e marrëveshjes së huas mes qeverisë dhe BERZH-it, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Gjithashtu në axhendë është edhe ratifikimi i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar në projektin e programit të menaxhimit të mbetjeve.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.