Axhenda e re urbane – Gjermeni : Sfidë, zbatimi i dokumentave të zhvillimit

Plotësimi i kuadrit ligjor në secilin sektor është një nga aspektet më të rëndësishme të zhvillimit. Për Ministren e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni tashmë korniza ligjore është e plotësuar sa i përket planifikimit dhe aspektit urban por sfidë mbetet zbatimi i saj.
“Në fund të këtij viti, 43 bashki nga 61 do të kenë të hartuara planet e tyre të përgjithshme vendore. Sfida jonë e madhe mbetet zbatimi i planeve kombëtare dhe atyre vendore, si dhe monitorimi i zbatimit të tyre. Në këtë proces, sërish të gjithë aktorët do të jenë të përfshirë, siç kanë qenë pjesë e hartimit dhe miratimit të tyre.”, tha ministrja Gjermeni.
Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Habitat 3 Kumaresh Misra u shpreh se orientimi i dokumentave kombëtare në përputhje me Axhendën e re Urbane është me rëndësi jetike për brezat e ardhshëm.
“Ajo që ne po mundohemi të bëjmë të funksionojë përmes Habitat 3 dhe agjencive pjesë e kombeve të bashkuara por edhe vendeve anëtare është të garantojmë që dokumeti kyç që është axhenda të mos mbetet thjesht një vizion që debatohet me vendet anëtare por diçka që jetësohet dhe transformon jetën e qytetarëve. Kemi vazhdimisht tendencën e lëvizjes drejt zonave urbane dhe ne duhet ti paraprijmë kësaj tendence pasi kjo nuk lidhet vetëm me të tashmen por me brezat e ardhshëm. Kjo e bën të domosdoshëm zbatimin e dokumenteve që miratojmë sot si pjesë e axhendës së re urbane“, u shpreh Kumaresh Misra.
Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të Axhendës së re urbane, një dokument i cili shërben si një udhërrëfyes për zhvillimin në secilin prej 65 vendeve që e kanë miratuar ku bën pjesë dhe Shqipëria.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.