Azilantët, rekord 1-vjeçar – Të dhënat zyrtare, shqiptarët rriten me 13.2%, niveli më i lartë prej tetorit 2018

Të dhënat më të fundit të zyrës europiane të mbështetjes së azilantëve (EASO) tregojnë se, shqiptarët kanë prekur një rekord të ri gjatë muajit Tetor. Kështu, gjatë muajit të dhjetë të vitit, kërkesat për azil për herë të parë rezultojnë të jenë 1964, që është niveli më i lartë në një vit, që prej Tetorit 2018. Në terma mujorë, rritja fiksohet në 13.2%. Shifra është bindshëm më e lartë edhe se dy vite më parë.
Ky vit ka regjistruar një rënie mjaft të lehtë të numrit të azilantëve gjatë muajve të parë të tij, por me Shtatorin dhe Tetorin, tendenca është përmbysur tërësisht, thonë të dhënat zyrtare nga zyra europiane për mbështetjen e azilantëve. Të dhënat tregojnë se edhe numri i përgjigjeve negative është rritur lehtë krahasuar me muajin paraardhës, por gjithsesi është më i ulët se përpara disa muajve.
Në total, numri i shqiptarëve që presin dyerve të Europës për të marrë një strehim politik apo ekonomik, fiksohet në 12976 të tillë. Të dhëna të tjera të publikuara nga Eurostat sa i përket azilantëve shqiptarë përgjatë tremujorit të tretë të vitit, tregojnë se, Franca është zgjedhja e parë e shqiptarëve, më pas ndjek Mbretëria e Bashkuar dhe në vend të tretë Greqia.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.