Bahri Berisha merr detyrën e kreut të Doganave të Kosovës. U përzgjodh pas një gare ku aplikuan 22 kandidatë
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Kosovë do të kryesohet nga Bahri Berisha. Ai e ka marrë zyrtarisht detyrën ditën e sotme, në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe ministri i Financave Avdullah Hoti. Në fjalën e rastit, drejtori i ri i Doganave tha se është i privilegjuar për marrjen e këtij posti, ndërsa shpreson që do të ketë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës gjatë udhëheqjes së tij me Doganën e Kosovës. Sipas “RTK”, Fahri Gashi, ish ushtrues i detyrës se drejtorit të Doganave në Kosovë, është shprehur i bindur se drejtori Berisha do t’a kryejë punën me sukses dhe përkushtim.
Një ditë më parë, Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe Ruairi O’Connell kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë shpjeguar procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.
Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se më datë 15 shtator 2016 në përputhje me Kodin Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës, Ministria e Financave e ka shpallur Konkursin për emërimin e drejtorit te Doganës së Kosovës, i cili konkurs ka qenë i hapur deri më 29 nëntor 2016.
“Më 6 dhjetor gjithashtu në përputhje me Kodin Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës, unë kam themeluar Komisionin për shqyrtimin e aplikacioneve dhe përzgjedhjen e kandidatëve të mundshëm për pozitën e Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës” , shtoi ministri Hoti.
Ai bëri të ditur se ky proces ka qenë shumë transparent dhe ka tërhequr shumë aplikime. Sipas tij kanë qenë 22 aplikantë që kanë shprehur interesim për tu zgjedhur si Drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës , prej të cilëve 12 janë ftuar në intervistë nga Komisioni.
“I gjithë procesi është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë implementues dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Komisioni në dakordim me Partnerin implementues ka sjellë tek unë listën e ngushtë ku ka prezantuar 3 emra; Bahri Berisha, Kujtim Qafleshi dhe Valdete Krasniqi. Në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit, Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa ka nënshkruar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Doganës të z. Bahri Berisha, pasi që ka dalur kandidati më i suksesshëm në procesin e konkurrimit” tha Hoti në daljen për mediat.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.