Ballkani e ka vendin në BE – Polonia, Kroacia e Sllovenia, apel Brukselit
Samiti i Brdo-Brijunit, i mbajtur këtë vit në Tiranë, përforcoi edhe njëherë angazhimin e vendeve të Europës jug-lindore dhe asaj qendrore në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Këtë gjë e pohoi presidenti polak, në konferencën e përbashkët për shtyp.
“Historia e këtyre tokave është mjaft e komplikuar. Për mua kjo është diçka e ndryshme me atë që përballemi në Poloni. Këto dukuri në vendin tim kanë ndodhur në Luftën e II Botërore, por këto çështje tani mund të diskutohen me qetësi dhe nuk ka më mërira. Këto çështje duhet të diskutohen dhe zgjidhen nëpërmjet dialogut, mes liderëve. Kjo është një detyrë e madhe e Brukselit dhe vendeve anëtare të BE që ta kuptojë këtë proces dhe ta mbështesin. Ky është një rol i madh që luhet nga dy vendet. Europa Juglindore ka nevojë për Evropën dhe anasjelltas. BE duhet t’i mbajë dyert e hapura për anëtarësim, të gjej programe dhe instrumente që e mbështesin këtë gjë”,- u shpreh Andrzej Duda, Presidenti i Polonisë.
E të njëjtit mendim u shpreh edhe presidentja kroate, , e cila gjeti mundësinë edhe të kritikojë politikat që ka ndjekur deri më tani Bashkimi Europian
“Unë jam e frikësuar për situatën që kemi dhe diskutimet brenda BE-së. Jemi duke krijuar një vakum të rrezikshëm për Europën juglindore. Ne do vazhdojmë të punojmë bashkë. Për vendet kandidate reformat që janë pezulluar duhet të ndërmerren. Kroacia do e marrë në gjysmën tjetër të 2020-ës Presidencë e BE dhe fokusi ynë do të jetë Evropa Juglindore. Do të bëjmë Samit për të parë të ardhmen evropiane të këtij rajoni. Duhet dy veta për të kërcyer tango, ne do vijojmë t`iu shtyjmë për të hyrë në BE, por duhet të ndërmerrni hapat tuaja. Ne nuk duhet të gjejmë justifikime”,- tha Kolinda Grabar-Kitarovic .
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.