Ballkani i Hapur merr “bekimin” e BE – Rama, Vuçiç e Zaev: Epokë e re për rajonin. Varhelyi: Mund të më konsideroni mbështetës
Dita e dytë e Samitit “Ballkani” i hapur ka vijuar me një tryezë të përbashkët pune mes liderëve të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, pjesë e së cilës më pas është bërë edhe Komisioneri për Zgjerim I Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi. Kryeministri Edi Rama, i cili edhe moderoi takimin përsëriti rëndësinë që do të ketë nisma në lëvizjen e njerëzve, mallrave, e veçanërisht të kapitaleve.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, theksoi se kjo iniciativë është shumë më e madhe se në të tre, pasi ajo do të jetë në themel të rritjes së mirëqenies për fëmijët tanë.
Kryeministri I Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, foli me keqardhje për vendet që nuk janë bërë pjesë e saj, ndërkohë që e konsideroi nismën një zhvillim shumë të rëndësishëm për rajonin.
Komisioneri për Zgjerim I Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi është bërë pjesë e takimit përmes lidhjes online. Ai e konsideroi veten mbështetës të nismës Ballkani i Hapur që në hapat e parë të saj ai tha se fakti që rajoni kërkon të jetë I hapur, ashtu si Bashkimi Evropian, është një zhvillim mjaft pozitiv, ndërkohë që u bëri thirrje edhe tre vendeve të tjera të bëhen pjesë e saj.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.