“Ballkani i takon perëndimit”, Pence: SHBA konfirmon angazhimin, për ne nuk ka aleat të vegjël
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin malazez, Dushko Markovic, zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, deklaroi se, Ballkani i takon perëndimit, pavarësisht presionit të fortë të Moskës për të ruajtur influencën në këtë rajon të Europës.
“Ne besojmë me të vërtetë se, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në perëndim. Dhe ne presim që të konfirmojnë angazhimin e shteteve të bashkuara në ndërtimin e marrëdhënieve dhe shtrëngimin e lidhjeve mes komunitetit europian, Ballkanit perëndimor dhe shteteve të bashkuara të Amerikës. Unë ju sjell përshëndetjet e Presidentit Donald Trump i cili më solli këtu si një sinjal i qartë i aleancës që ne gëzojmë përmes NATO-s. NATO përbëhet nga shtete të mëdha dhe shtete të vogla, por shtetet e bashkuara nuk kanë aleat të vogël”, deklaroi Pence.
Vizita e Mike Pence në Mal të Zi vjen në një moment të ri tensionesh mes shteteve të bashkuara dhe Rusisë, me Washingtonin që ka zgjeruar sanksionet ndaj Moskës, dhe me këtë të fundit që kërkon dëbimin e mbi 700 diplomatëve amerikanë nga vendi.
Gjithashtu, vizita e Pence, vjen pak kohë pas një grushti shteti të dështuar në Mal të Zi, për të cilin qeveria akuzon pikërisht Moskën. Mike Pence është i pranishëm edhe në Samitin e Adriatikut ku merr pjesë edhe kryeministri shqiptar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.