Ballkani, shqetësim europian – Merkel takohet me Vuçiç, të enjten të gjithë në Sarajevë

Angela Merkel është mjaft e shqetësuar për ngjarjet në Ballkanin perëndimor, deklaroi Alexandar Vucic për televizionin shtetëror, pas takimit me kancelaren.
“Ajo është e shqetësuar për atë që po ndodh në rajon. Kancelarja nuk i di të gjitha detajet, por ajo e sheh panoramën e plotë. Është ndër ta paktat lidere europiane që shpreh shqetësim të thellë“, deklaroi kryeministri serb.
Sipas këtij të fundit, në takimin me kancelaren u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, tërheqja e investitorëve dhe stabiliteti rajonal. Gjermania ndër të tjera, është mjaft e kënaqur me stabilitetin ekonomik të Serbisë, shtoi Vucic.
Kryeministri serb nënvizoi se, integrimi europian i Serbisë është thellësisht i varur nga Gjermania.
“Gjermania sot po bëhet një ndër partnerët kyç të Serbisë“-nënvizoi kreu i ekzekutivit serb.
Numri i serbëve të punësuar në kompani gjermane po rritet dita ditës, shtoi Vucic. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit mes dy liderëve, Merkel u shpreh se, Serbia dhe Gjermania janë dy vende mike, me 4 miliardë euro vëllim tregtar mes tyre dhe 1.3 miliardë euro investime.
Në Serbi ka rreth 370 kompani gjermane që punësojnë rreth 25 mijë persona shtoi Merkel.
Takimi vjen vetëm një ditë përpara samitit të vendeve të Ballkanit perëndimor që do të zhvillohet në Sarajevë, e ku do të marrin pjesë, kryeministrat e rajonit, komisioneri europian për zgjerim, Johannes Hahn si dhe përfaqësues të qeverisë italiane.
Samiti vjen në kuadër të procesit të Berlinit, të iniciuar nga vetë kancelarja Merkel , si dhe vjen në një kohë tensionesh të mëdha në rajon.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.