Ballkani takohet në Slloveni – Forumi i Bled-it mbledh ministrat, Mogherinin dhe Hoyt Brian Yee
Këtë të Hënë dhe të Martë në Bled të Sllovenisë do të zhvillojë punimet forumi strategjik i Bledit, që mbahet çdo vit që prej vitit 2006. Në këtë forum do të ketë rreth 500 pjesëmarrës.
Në listën e folësve figuron edhe emri i Angel Gurria, President i OECD, Tanja Fajon, Federica Mogherini, etj. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme do të ketë mundësinë të takohet për të disatën herë me ministrat e jashtëm të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Të gjashtë ministrat do të jenë të pranishëm dhe e kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen e tyre. Kreu i diplomacisë shqiptare ndërkohë do të shoqërohet nga një delegacion i gjerë i ministrisë së jashtme, si shefi i kabinetit, Pirro Vengu, drejtori i departamentit të Bashkimit Europian pranë ministrisë së jashtme, Gjergj Murra, kreu i sektorit të iniciativave dhe projekteve rajonale pranë ministrisë, etj.
Pjesë e forumit do të jetë edhe një panel i gjerë diskutimi për të ardhmen e Ballkanit perëndimor dhe zgjerimin e Bashkimit Europian, ku do të flasin krerët e diplomacive të këtyre 6 vendeve, zyrtari i njohur amerikan jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Ballkanin, Hoyt Brian Yee, por edhe përfaqësues nga organizma të tjerë, si banka europiane për rindërtim dhe zhvillim.
Paneli i diskutimit për Ballkanin Perëndimor do të zhvillohet ditën e Martë pasdite, rreth orës 16.30, dhe palët kanë mundësinë që të zgjidhin me njëri tjetrin një sërë çështjes të lëna pezull.
Një ndër to është edhe ajo e Fondit të Ballkanit Perëndimor, e lënë pezull prej kohësh. Fondi i Ballkanit Perëndimor është një fond i përbashkët i 6 vendeve të rajonit, me seli në Shqipëri dhe me drejtues shqiptar, por që ende nuk është formalizuar, paçka se vendimi për krijimin e tij ka më shumë se 1 vit që është marrë.
Një vit më parë, në këtë forum nuk morri pjesë ministri i jashtëm por kryeministri Rama.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.