Balluku ankohet për buxhetin. Ministrja kërkon shtesë fondesh: “Për rrugët është akorduar vetëm 45% e nevojave”
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka shprehur rezerva për projektbuxhetin e vitit 2021 të dikasterit që ajo përfaqëson. Gjatë prezantimit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Balluku tha se për programin e transportit rrugor është akorduar vetëm 45% e buxhetit të nevojshëm, ndërsa për transportin detar 30%, teksa kërkoi rritje fondesh në këtë drejtim.
“Ky Buxhet i akorduar për programet arrin vlerën e 26.2 miliardë lekëve, nga nevoja reale që llogaritet prej 60.5 miliardë lekë pra vetëm 45% e nevojave. Për këtë program, pra programin e transportit ne kërkojmë rritje të tavanit buxhetor për shpenzimet korrente me minimalisht 2 miliardë lekë.”
Edhe sektori i ujit për ministren e Infrastrukturës ka nevojë për 2 mld lekë shtesë, pasi projektbuxheti mbulon 85% të nevojave.
“Buxhetuar me 12.7 miliardë lekë nga nevoja reale që llogaritet në 15 miliardë lekë pra akorduar vetëm 85% e nevojave. Kërkojmë rritjen e tavanit të shpenzimeve kapitale me të paktën 2 miliardë lekë për të përballuar shpenzimet e projektit.”
Balluku nuk adresoi ankesa për buxhetimin e programit të transportit hekurudhor apo projekteve të interkonjeksionit rajonal, teksa për transportin ajror njoftoi se shumë shpejt do të rihapet gara për aeroportin e Vlorës, që u bllokua për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 dhe pas tij edhe gara për aeroportin e Sarandës. Ndërkaq, sikurse është bërë e ditur më herët, qeveria synon që aeroporti i Kukësit të jetë operativ vitin që vjen.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.