Balluku bën bilancin e vitit 2020, Ministrja: “Planet për Milot-Fier, hekurudhën Tiranë-Durrës dhe TEC-in e Vlorës”
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka bërë bilancin e vitit 2020 për institucionit që ajo drejton, duke dhënë detaje mbi ecurinë e disa prej projekteve, sikurse është porti i Durrësit dhe Vlorës apo rihapja e garës së partneritetit publik-privat për aksin Milot-Fier pas datës 20 janar 2020.
“Ne me të njëjtat kushte do të rihapim këtë garë në fillim të vitit të ardhshëm. Jemi gati edhe për segmentin e dytë të korridorit blu ë është segmenti Milot-Muriqan.”
Balluku njoftoi se gjatë sezonit të ri veror bypass-i i Vlorës do të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë që, në fillim të vitit që vjen pritet të nisin punimet edhe për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe degëzimit drejt Rinasit.
“Për çmimin e biletës sigurisht që jemi në negocim e sipër por sigurisht varet dhe nga kompania që do ta menaxhojë. Rëndësi ka që në fillimin e vitit fillojnë punimet dhe do të mbarojë procesi burokratik.
Ndërkaq, Balluku foli edhe për rivënien në funksion të Termocentralit të Vlorës, duke bërë publike planet për përdorimin e gazit të lëngshëm.
“Kemi definuar disa investitorë potencialë për termocentralin e Vlorës të vënë në punë me gaz të lëngshëm. Ky është projekti i dizenjuar nga ne dhe Departamenti Amerikan i Energjisë. Parashikohet që të funksionojmë me kapacitet të plotë dhe jo me gjysmën e saj që ka qenë i planëzuar për tu vënë në funksion.”
Balluku konfirmoi se konsorciumi fitues për parkun fotovoltaik të Akërnisë e ka dërguar çështjen në arbitrazh, duke shprehur bindjen se çështja do të fitohet nga shteti shqiptar.
Ne jemi besimplotë që këtë process do ta fitojmë, pasi nuk do t’i lejojmë asnjë kompanie ngado që vjen të vijë dhe të tallet me Republikën e Shqipërisë dhe të na vërë në presion të firmosim një kontratë në kurriz të Republikës së Shqipërisë.”
Ministrja konfirmoi se në aksin Orikum-Dukat tashmë kanë nisur punimet, ndërsa për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve njoftoi se shumë prej projekteve të nisur do të përfundojnë përpara afatit të parashikuar.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.